Qytetarët e Shkupit sot do të mbeten pa transport publik. Autobusët nuk do të lëvizin dhe do të qëndrojnë në qendrat e autobusëve në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov, për shkak të protestës së shoferëve që kërkojnë pagesën e pagave për muajin shtator, transmeton Portalb.mk.
Kështu bënë të ditur dje përfaqësuesit e sindikatës në NTP “Shkup”, të cilët thanë se shoferët sot nuk do të vozisin për shkak se janë të uritur dhe kërkuan edhe njëherë pagesën e rrogave. Ata u kërkuan falje qytetarëve, me arsyetimin se kjo duhej të ndodhte për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e pagave të rregullta në NTP.
Në seancën e djeshme të jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit është diskutuar edhe për pagat e papaguara të punëtorëve të NTP-së. Në orët e vona të pasdites është votuar iniciativa me të cilën kërkohet nga kryetari i Qytetit të Shkupit që deri të premten në ora 12 të dorëzojë vendim për rishpërndarjen e mjeteve për pagesën e pagave të punëtorëve të NTP-së.
Vendimi është marrë gjatë diskutimit treorësh mes këshilltarëve të cilët ia hodhën fajin njëri-tjetrit se kush ishte fajtori për situatën në ndërmarrje. Nga VMRO-DPMNE-ja kërkuan përgjegjësi nga Arsovska, ndërsa nga LSDM akuzuan se për herë të parë qytetarët e Shkupit do të mbeten pa transportin e qytetit dhe për këtë fajin e ka pushteti lokal.
Seanca e radhës e Këshillit të Qytetit të Shkupit është caktuar për të premten në ora 14:00, por ka mundësi që sot të thirret seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të qytetit nëse vendoset në rend rishpërndarja e mjeteve.
Qyteti i Shkupit dje i nxorri një pjesë të autobusëve të NTP-së para Qeverisë, duke theksuar se fajin për faktin se punëtorët e kësaj ndërmarrje publike të Shkupit ende nuk i kanë marrë pagat e ka Qeveria, gjegjësisht Ministria e Arsimit, e cila i detyrohet NTP-së dy milionë euro nga bllok grantet për transport falas të gjimnazistëve.
Ndërkohë nga NTP kanë thënë se rreth njëzet persona nga LSM dhe e ashtuquajtur Sindikata e pavarur e NTP-së i pengon shoferët e autobusëve që të kryejnë rregullisht detyrat e tyre të punës, në kundërshtim me nenin 35 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili rregullon mënyrën e grevës.
“Këta njëzet persona nuk kanë bord grevës, as nuk kanë regjistruar grevë të rregullt. Edhe sikur të kishin raportuar rregullisht grevën, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, duhet të sigurojnë funksionimin e rregullt të ndërmarrjes derisa të zgjasë greva”, thonë nga NTP.
Për këtë, siç shtojnë nga kjo ndërmarrje, Qyteti i Shkupit do t’i respektojë masat ligjore dhe do të ngre kallëzime përkatëse penale kundër personave që pengojnë funksionimin e rregullt të ndërmarrjes publike dhe mbajnë peng Shkupin dhe shkupjanët.
Qyteti i Shkupit tashmë dje ka përgatitur një vendim për transferimin e mjeteve që do të sigurojë pagesën e pagës së fundit, e cila vonohet për 5 ditë për shkak të mos pagesës së borxheve ndaj kompanisë nga Ministria e Arsimit dhe komunat. Apelojmë te anëtarët e bordit drejtues të NTP-së që të veprojnë sipas obligimeve ligjore, në të kundërtën do të jenë pjesë e kallëzimit penal për organizim të kundërligjshëm të grevës dhe pengim të punës së ndërmarrjes”, thonë nga NTP.