Shënon rritje numri i grave të diagnostikuara me kancer në gji. Thuajse çdo e nënta grua në vend, gjatë jetës së saj, preket nga kjo sëmundje. Derisa në vitin 2010 në nivel vjetor ishin 810 gratë të prekura nga kanceri në gji, tani ky numër sillet në rreth 1000.
“Zbulimi i hershëm i kancerit në gji dhe terapia e re janë gjërat e vetme që mund të ulin vdekshmërinë nga kanceri në gji. Në Maqedoninë e Veriut sikurse në të gjitha vendet e BE-së, mesatarja e pacientëve të rinj rritet me një tempo stabile, nuk është shumë dramatike, por megjithatë rritet….E shohim se po rritet norma e kancerit të gjirit, madje edhe tek pacientë që nuk kemi menduar se kanë prirje të tillë ndaj kancerit në gji”, deklaroi Nikolla Vasev, Drejtor i Onkologjisë.
Për të parandaluar pasojat dhe përhapjen e kësaj sëmundjeje Qeveria në seancën e fundit miratoi vendimin për kontrollet mamografike të detyrueshme dhe të sigurohet skrining mobil mamografik.
Drejtori i Onkologjisë thotë se vendimi është nevojë pasi zbulimi i hershëm i këtij lloji të kancerit është një përfitim i madh.
“Mamografia mobile do të jetë në vende të pa qasshme dhe do arrinte deri tek gratë që nuk do të vinin në kontroll në qytet, të munden disi të kontrollohen, të bëhet ajo fotografi dhe më pas radiologë profesionist do t’i shohin ato… Mamografia mobile, sikurse ka emrin, pra mamografi nuk është në një vend, por është në lëvizje me një makinë speciale, unë kam pasur rastin në Amerikë të shoh një automjet të tillë”, tha Nikolla Vasev, Drejtor i Onkologjisë.
Shpenzimet për kontrolle sipas vendimit të qeverisë do të shqyrtohen në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë ndërsa Ministria e Financave është autorizuar të parasheh mjete në Buxhetin e vitit 2023./Alsat/