LajmeMaqedoni

Qeveria do të ndihmojë prodhuesit e bukës dhe kosit, por qytetarët përsheshin do ta hanë me çmimin e njëjtë

Për tu pjekur këto bukë, kësaj furre fatura e rrymës i vjen rreth 64 mijë euro në muaj, ose nëntë fish më shtrenjtë se para faturimit me bllok-tarifa. Për të fermentuar qumështin në kos, poashtu kompania ankohet se paguan fatura shumë fish më shtrenjtë. Kjo do të thotë se qytetarët edhe më tej përsheshin me bukë e kos nuk do ta paguajnë më lirë. Nga oda e furrtarëve thonë se çmimi nuk do të ulet pasi që furnizohen me lëndën e parë nga importi, kryesisht grurin dhe miellin e blejnë nga shtetet fqinje.

“Kjo është masë e mirë sa për fillim për uljen e çmimit të energjisë, por duhet të ketë një set masash që do të ulnin dukshëm çmimin e produkteve bazë. Përveç rrymës, çmimet e lëndës së parë që ndikojnë në produktin final të industrisë sonë janë shtrenjtuar 100%. Prandaj duhet të plotësohen masat tjera siç janë aktivizimi i rezervave shtetërore me çmime të ulëta, nëse futen në përdorim 20-50 ton grurë me çmim të ulët do të sjell në uljen e dukshme të çmimit të prodhimeve të bukës”, tha Goran Georgievski, Kryetar i Odës së Furrtarëve.

Prodhuesit e bukës, qumështit dhe vajit për gatim nga dhjetori do të paguajnë vetëm 100 euro për mwh. Kompanitë vendore që prodhojnë ushqimet bazë, por janë në tregun e lirë energjetik do të ndihmohen nga shteti për të ju fiksuar çmimet e energjisë elektrike, pavarësisht ndryshimeve në bursën energjetike. Nga Ministria Ekonomisë thanë se kanë pranuar propozimin e Odave, i cili mori dritë jeshile në Qeveri.

“Të gjithë prodhuesit vendor nga 1 dhjetori do të kenë çmime fikse për energjinë elektrike për t’ju ulur shpenzimet për produktet finale të ushqimeve bazë. Janë rreth 150, kryesisht kompanitë e produkteve të qumështit, miellit, vajit për gatime dhe të tjera sipas listës në vendimin që është marrë në Qeveri”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Përveç kësaj, marzha e TVSH-së për produktet ushqimore bazë do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2022. Sipas autoriteteve, ky vendim kufizon rritjen e çmimeve duke përcaktuar nivelin e marzhës tregtar 10% që duhet të ndikojë në rritjen e çmimeve për produktet ushqimore bazë, por sërish këto dhe çmimet e produkteve tjera ushqimore dhe higjienike vazhdojnë të rriten në tregun me shumicë dhe pakicë. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button