Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka pritur në një takim të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku citohet të ketë thënë se Serbia është e gatshme të vazhdojë negociatat me Kosovën, por insiston në zbatimin marrëveshjeve të arritura, kryesisht për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (AKS).
Sipas deklaratës nga kjo zyrë, Petkoviqi i ka treguar Escobarit për aktgjykimin e djeshëm, i cili është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykimin kundër kryetarit të Komunës së Zveçanit, Ivan Todosijeviq, i cili është dënuar me një vit burg për deklaratat e tij për mohimin e masakrës së Reçakut.
Petkoviqi i ka treguar Escobarit edhe për rastin e 20-vjeçarit serb Nikola Nedelkoviq, i cili u arrestua gjatë shënimit të festës serbe “Vidovdan” në Gazimestan për ekspozim të simboleve serbe, për të cilin u dënua me tetë muaj burg.
“Këto aktgjykime ua mohojnë serbëve në Kosovë e Metohi të drejtën e mendimit, lirinë e fjalës dhe të shprehjes dhe në këtë mënyrë shfuqizojnë të gjitha liritë civile dhe demokratike”, tha Petkoviqi.
Ai theksoi se Beogradi kërkon respektimin e plotë të nenit 10 të Marrëveshjes së Parë të Brukselit, i cili përcakton se, siç ka thënë ai, “serbët duhet të jenë shumicë në panelin e Gjykatës së Apelit në proceset nga komunitetet serbe në Kosovë”, gjë që, sipas tij, ka qenë e theksuar në mënyrë të përsëritur nga përfaqësuesit më të lartë të bashkësisë ndërkombëtare.
Petkoviqi përmendi edhe refuzimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë, gjegjësisht vizitat e tij, për çka tha se është shkelje e marrëveshjes, duke thënë se me këto veprime “Prishtina e ndalon atë të jetë me popullin serb në krahinë”.
“Pavarësisht gjithçkaje, Beogradi mbetet thelbësisht i interesuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe apelon të përdorë mjete vendimtare politike dhe diplomatike për të parandaluar të gjithë ata që kërcënojnë të destabilizojnë rajonin dhe konfrontime të reja”, tha ai.
Gjatë bisedës u diskutua për targat dhe energjinë, ndërsa Petkoviqi tha se pala serbe i ka përmbushur të gjitha hapat nga Udhërrëfyesi i Energjisë si dhe zotimet nga marrëveshjet tjera të arritura në dialogun e Brukselit./klankosova