LajmeMaqedoni

Kompanitë, në pritje të ndihmës nga Qeveria

Kompanitë po numërojnë ditët deri në fund të këtij muaji për kur Qeveria u premtoi masa kundër krizës. Nga Oda Ekonomike njoftojnë se kompanitë që janë në tregun e lirë të energjisë elektrike kërkojnë që paratë e destinuara për shpenzime joproduktive të ridestinohen për të mbështetur ekonominë, për të ruajtur vendet e punës dhe për të ruajtur konkurrencën e tyre në tregjet rajonale. Biznesmenët u dërguan gjithashtu porosi edhe deputetëve që të zhbllokojnë ligjet që lidhen me zbutjen e krizës energjetike.

“Kompanitë kanë nevojë për siguri dhe para shikueshmëri dhe kjo mund të sigurohet në këto kushte me disa gjëra. Nuk duhet të gënjehemi nga çmimi aktual i energjisë elektrike në bursë, sepse asnjë nga arsyet e rritjes së saj në të ardhmen nuk është eliminuar”, thonë nga Oda Ekonomike.

Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Zoran Zaev, Mitko Andreevski, në emisionin Magazina Ekonomike, tha se nuk është e qartë pse po vonohen masat e Qeverisë kur Bashkimi Evropian ka dhënë udhëzime dhe rekomandime për kursim që në mars të këtij viti. Ai thotë se është mirë që vetë kompanitë kanë filluar të kërkojnë zgjidhje për faturat e larta të rrymës në mungesë të masave specifike nga Qeveria.

“Më gëzon fakti që muajt e fundit ka nisur vetë-iniciativa e kompanive për të instaluar panele diellore. Pra, duke mos pritur më ndihmë nga Qeveria, shohin që “djalli e ka marrë shakanë” dhe thonë le ta bëjmë vetë këtë. Në një situatë të tillë mendoj se zgjidhjen do ta gjejnë vetë, sesa të presin që ne si shtet të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Mitko Andreevski Konsulent Energjetik.

Qëndrimi i Qeverisë është se ajo në kohë të duhur merr masa për qytetarët dhe kompanitë. Por në Këshillin e fundit Ekonomiko-Social, biznesmenëve iu ofruan vetëm kredi me interes të ulët për të ruajtur likuiditetin dhe për të lehtësuar kushtet për instalimin e paneleve diellore. Informacionet e biznesmenëve janë se kompanitë nga Maqedonia paguajnë çmimin më të lartë të energjisë elektrike nga vendet e rajonit, kështu që produktet e tyre kanë çmime më të larta në krahasim me konkurrencën./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button