LajmeRajon

Shqipëria pret ta thyej rekordin me turistë, ministrja e Turizmit: Kemi marrë masa për çmime të arsyeshme

Shqipëria është bërë gati që të tejkalojë shifrën e gjashtë milionë turistëve gjatë këtij viti. Përveç në bregdet, tashmë janë hapur mbi 260 bujtina për mysafirë në sektorin e agroturizmit.

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro thotë se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat që çmimet të jenë të arsyeshme. Megjithatë, ajo thekson se mysafirët duhet që të shtrihen në gjithë territorin e Shqipërisë, me qëllim që të mos krijohen përqëndrime.

Qershori, korriku e gushti janë muajt ku bregdeti mbushet plot me pushues nga Kosova dhe mbarë bota. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro fton mysafirët shqiptarët që ditët e pushimit t’i ndajnë mes detit, malit, sporteve natyrore e tureve të organizuara në shtigjet e Shqipërisë.

“Këtë vit ne mendojmë që do të kemi një shtrirje më të gjerë të hartës gjeografike turistike, jo vetëm në bregdet që është i preferuar për larminë që ka. Por, pjesë e brendshme e territorit të Shqipërisë ofron këtë verë potenciale të jashtëzakonshme dhe oferta interesante për sa i përket turizmit të gastronomisë, turizmit ushqimor. Për sa i përket agro-turizmit, ku tashmë mbi 260 bujtina janë hapur në të gjithë territorin nga Tropoja e deri në Sarandë, Korçë në Kolonjë, Elbasan, Gramshë, Gjirokastër, Përmet e në Tepelenë. Janë të gjitha oferta turistike të cilat investimet e bëra në vitin 2020, ku ra fluksi i turizmit por u shtuan investimet nga sektori privat”, thotë ajo.

Sezoni është hapur që në muajin mars kur kanë nisur grupet turistike në mënyrë të organizuar të vizitojnë shumë vende në Shqipëri. Kumbaro shton se duhet të ketë koordinim të paketave mes të dyja vendeve, që turistët nga e gjithë bota të qëndrojnë më gjatë në trevat shqiptare.

Ajo thekson se pritjet janë që Shqipëria të tejkalojë shifrën e gjashtë milionë turistëve brenda këtij viti.

“Në vitin 2019, që konsiderohet një vit shumë i mirë dhe kemi pasur një shifër rekord të mysafirëve nga e gjithë bota, Shqipëria priti 6,4 milionë vizitorë të huaj. Po të kemi parasysh që Shqipëria, rezident janë 2,8 milionë banorë. Në vitin 2021, ne mirëpritëm më shumë se sa mendonim, 5,6 milionë turistë të huaj, duke përfshirë mysafirët prej Kosovës duke u nisur nga sistemi i hyrjes në kufi të Shqipërisë. Të gjitha të dhënat janë që këtë vit të kemi një rritje eksponenciale, për shkak se tre muajt e parë të vitit 2022, ishin me rritje krahasuar me vitin pararendës. Vetëm në muajin mars kemi pasur 2,1 herë më shumë netë qëndrimi në Shqipëri, se sa vitin e kaluar”, shprehet ajo për KosovaPress.

Ajo zotohet që kanë marrë masa për parandalimin e rritjes së çmimeve, megjithatë nuk përjashton rastet e tilla në disa zona.

Show More

Related Articles

Back to top button