GostivarLajme

Komuna e Gostivarit do të ndihmojë me nga 10 mijë denarë familjet kujdestare

Fushata “Shtalle dorën dhe ndrysho jetë, bëhuni kujdestar”, e cila ka për qëllim promovimin e kujdestarisë dhe rritjen e numrit të familjeve kujdestare në vend, u promovua para institucioneve dhe qytetarëve të interesuar nga Gostivari. Numri i fëmijëve pa përkujdesje prindërore dhe i atyre në rrezik për të humbur familjen është i lartë dhe nevojiten më shumë familje kujdestare, në mënyrë që çdo fëmijë të mbrohet nga dhuna dhe abuzimi, të ketë strehim të qëndrueshëm dhe një kujdestar, tha Ana Pançera, udhëheqëse e Qendrës për mbështetje të familjeve kujdestare në Shkup.

“Për fat të keq deri më tani në qytetin e Gostivarit nuk ka të regjistruar asnjë familje kujdestare, ndërsa duke i ndjekur të gjitha statistikat dhe analizat që i bëjmë, në Gostivar kolegët nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale ballafaqohen shpesh me nevojën për kujdes të fëmijëve si formë e mbrojtjes. Këta fëmijë që kanë pasur nevojë të tillë nga Gostivari janë vendosur te familje kujdestare jashtë qytetit të Gostivarit, pra në qytete tjera. Ne mendojmë se çdo fëmijë që ka nevojë për t’u strehuar të mbetet te rrethi i tij amë, aty nga ku e ka prejardhjen”, deklaroi Ana Pançera, udhëheqëse e Qendrës për mbështetje të familjet kujdestare në Shkup.

Ngjarja është e dedikuar kryesisht për të gjithë qytetarët e interesuar, me potencial për t’u bërë kujdestarë, të cilët përmes materialeve promovuese dhe konsultimeve të drejtpërdrejta me ekspertët, si dhe vetë kujdestarët, mund të mësojnë më shumë për kujdestarinë. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari me këtë rast premtoi ndihmë financiare prej 10 mijë denarëve çdo muaj për ato familje që do të vendosin të bëhen familje kujdestare.

“Ne vazhdojmë të jemi të gatshëm, t’i ndihmojmë ato familje të cilat do të tregojnë gatishmëri për kujdesje. Unë sot edhe para të pranishmive do të theksojë se për t’i motivuar ato familje, Komuna e Gostivarit do të subvencionojë me dhjetë mijë denarë në çdo muaj. Kështu aktivitetet dhe suport kemi treguar edhe në të kaluarën, për sportistët, nxënësit më të mirë, familjet që kanë pasur nevojë dhe besojë se me këtë llojë ndihme dhe motivimi do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Kujdestarët marrin ndihmë dhe mbështetje profesionale përmes qendrave mbështetëse për familjet kujdestare, si dhe një pagesë mujore për një fëmijë kujdestar, shtesë për kujdestarin, si dhe përfitime të tjera, sipas nevojave të fëmijëve që ata kujdesen. Drejtori i QPPS në Gostivar, Azbi Shaqiri sqaron se në Gostivar ka 5 fëmijë që presin të merren nën kujdes të ndonjë familje.

“Gjatë vitit 2022 kemi pasur të vendosur diku shtatë fëmijë dhe pesë të tjerë kemi në proces të pritjes për t’u vendosur në ndonjë familje apo institucion shtetëror. Fatkeqësisht ne në të kaluarën nuk kemi pasur bashkëpunim me institucionet lokale dhe kemi qenë të detyruar të njejtit fëmijë t’i vendosim nëpër institucionet shtetërore dhe fatkeqësisht në Gostivar nuk kemi pasur familje që kanë qenë të interesuara që do të jenë pjesë e familjeve që do të kujdesen për këta fëmijë”, deklaroi Azbi Shaqiri, drejtor i QPPS në Gostivar.

Fushata nacionale realizohet nga S.O.S Fshati i Fëmijëve, në bashkëpunim me Qendrat për Mbështetjen e Familjeve Kujdestare “11 Tetori”, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe pushtetin lokal, dhe mundësohet nga Ministria gjermane e zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin. Ndryshe, për të gjithë ata që janë të interesuar të bëhen kujdestar dhe nuk kanë mundësi të marrin pjesë në këtë ngjarje, më shumë informacion se si të bëhen kujdestarë mund të marrin çdo ditë pune nga Qendra për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar.

Show More

Related Articles

Back to top button