U.d kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka theksuar sot se për momentin nuk ka asnjë ofertë që partia e tij të jetë pjesë e qeverisë dhe nëse ka, do të vendoset përmes organeve të partisë.
“Për faktin se do të jemi pjesë e shumicës, mendoj se është më shumë spin i BDI-së. Aty ka ngjarje interesante, ato ndahen në 3-4 fraksione. Është e pamundur të kuptosh se kush është me kë. Dhe mendoj se po diskutohen tema të tilla dhe e kam thënë. Më pyetën për herë të parë pesë apo gjashtë javë më parë. Po e them sërish se ne nuk jemi parti njerëzore, por jemi parti që kemi organe partiake dhe nëse ka një propozim të tillë, tani për tani nuk ka asgjë, kjo është vetëm spekulim. Nëse ka një propozim të tillë, mendoj se vendimi nuk duhet të merret vetëm nga kryetari, por të merret seriozisht në organet e partisë dhe të merret një vendim sido që të jetë”, theksoi Taravari, i cili në konferencën e sotme për shtyp e prezantoi analizën e ekspertëve të partisë së tyre me rastin e Raportit të fundit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2022.
Ai përsëriti qëndrimin se Aleanca për Shqiptarët ka propozimet e veta nëse në Kuvend nis debati për ndryshimin e Kushtetutës.
“Kjo pako e masave që do të japim, do të prezantohet në ambasadat më të rëndësishme në Shkup. Më pas do të prezantohet para mediave dhe shpresoj edhe para publikut të gjerë, por edhe para partive tjera politike. Propozimi ynë do të jetë diçka që nuk mund të refuzohet. Sigurisht, një nga kërkesat tona, e dyta, do të jetë heqja e atij 20 për qind njëherë e përgjithmonë. Të paktën në Jugosllavi siç ishte, gjuha shqipe dhe maqedonase ishin gjuhë zyrtare këtu. Shpresoj se do të ketë gatishmëri nga të gjitha partitë politike maqedonase që ta pranojnë, atë ta kalojë dhe pastaj të kalojmë në tema të tjera më të rëndësishme”, tha Taravari.