LajmeMaqedoni

Taravari: Raporti i KE-së na ka vlerësuar me notë kaluese, vetëm për hatër (VIDEO)

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përmes konferencës për shtyp deklaroi se partia e tyre ka bërë analizë të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2022, ku vlerësojnë se fjala korrupsion shfaqet në raport 67 herë, kështu siç tha ai duke konfirmuar atë që ata e kanë thënë në vazhdimësi, pra që korrupsioni në Maqedoninë e Veriut gjatë qeverisjes SDSM-BDI ka arritur nivele alarmante dhe të papara deri më tani.

Taravari deklaroi se raporti ka vënë në pah atë se ligjet nuk zbatohen.

“Në vend të zbatimit efektiv, në vazhdimësi sillen ligje e strategji të reja për të kamufluar moszbatimin e ligjeve që kërkojnë vullnet politik siç janë ato në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Andaj, përshëndesim thirrjen e Komisionit Evropian që të ndalet kjo qasje dhe qeveria të fokusohet në zbatimin e ligjeve ekzistuese në vend të nismave ad hoc”, deklaroi Taravari.

Ai nënvizoi se për të thjeshtëzuar Raportin e Progresit për qytetarët, Aleanca për Shqiptarët i ka përkthyer vlerësimet teknike të Komisionit Evropian në nota nga 1 deri në 5.

“Për shembull, vlerësimi “nuk ka progres” përkthehet me 1sh, ndërsa “progres shumë i mirë” përkthehet me 5she. Fatkeqësisht, kjo qeveri ka marrë shumë 1sha dhe vetëm një 5she”, tha Taravari.

Duke përmendur vlerësimet, ai nënvizoi se:

“Klasteri i parë “Bazat e procesit të anëtarësimit”, qeveria ka dështuar me një notë mesatare 2sh.

Klasteri i dytë për tregun e brendshëm gjithashtu tregon për shumë ngecje dhe qeveria përsëri kalon me notë 2sh.

Klasteri 3 rreth konkurrencës dhe rritjes ekonomike qëndron paksa më mirë, me notë mesatare 3sh.

Klasteri 4 rreth mjedisit dhe ndryshimit klimatik kalon gjithashtu me notë mesatare 2sh dhe progres minimal në politikat e transportit, energji dhe rrjetet infrastrukturore.

Klasteri 5 është ai i burimeve natyrore, bujqësisë dhe zhvillimit të barabartë ku përsëri qeveria kalon me 2sh.

Dhe në fund, Klasteri 6 për marrëdhëniet e jashtme kalon me mesatare 3sh. Lajmi i vetëm i mirë, pra nga ky raport, progresi është se politika e jashtme e vendit është në përputhje me atë të BE-së”, tha Taravari.

Ai shtoi se progresi i Maqedonisë së Veriut është i mangët dhe vlerësohet me notë 2sh kur bëhet mesatarja e 6 klasterëve.

“Për të bërë një analogji me sistemin arsimor, me 2sh ndoshta kalohet në klasën tjetër, por vetëm për hatër. Andaj, e falënderojmë Komisionin Evropian që po e shtyn procesin për hatër të qytetarëve tonë dhe stabilitetit rajonal”, përfundoi Taravari.

Mes tjerash ai theksoi se kjo qeveri që merr pjesë në Ballkanin e Hapur dhe synon të zbatojë katër liritë e lëvizjes, është penguese e zbatimit të tyre me Bashkimin Evropian dhe si duket më e orientuar nga Beogradi e jo nga Brukseli.

I pyetur për këtë nga Portalb.mk se në vlerësim përshëndeti progresin e vendit në raport me marrëdhëniet e jashtme ndërsa nga ana tjetër akuzon se vendi është i orientuar nga Beogradi, Taravari deklaroi si vijon:

“Edhe këto përparime që i kemi në politikat e jashtme, janë si pasojë e presionit të vazhdueshëm që i ka bërë Aleanca për Shqiptarët ndaj pushtetit aktual, të Qeverisë aktuale, por edhe miqtë ndërkombëtar kanë bërë presione që të futen në forcë sanksionet ndaj Rusisë”.

I pyetur nëse Aleanca për Shqiptarët vendos të futet në Qeveri, Taravari deklaroi se kjo temë u hap kur filluan përçarjet në BDI, duke i konsideruar si spekulime. Ndërsa nëse ka oferta të tilla tha se do vendosin organet partiake, ndërsa përparësi ka kongresi i partisë i cili do organizohet në vijim.

Ndërsa për bashkëpunimin e mundshëm me Lëvizjen Besa tha se kjo mbetet të shihet kur do të ketë zgjedhje si do të pozicionohen partitë, por nuk hodhi poshtë një mundësi të tillë për të pasur rotacion në partitë në pushtet nga ana e shqiptarëve.

Videon mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm!

https://www.facebook.com/watch/?v=506774167732684

Show More

Related Articles

Back to top button