Javën e ardhshme përfaqësues të Unionit të nxënësve të shkollave të mesme dhe përfaqësuesit e arsimit pranë Komunës së Gostivarit do të shkojnë në MASH për mungesën e librave. Në takimin e fundit që Unioni ka pasur me përfaqësuesit e pushtetit lokal, kanë thënë se nuk do të presin më, pasi pa libra janë duke e mbyllur edhe muajin e dytë nga fillimi i vitit shkollor, kurse numri i librave që ju mungojnë është shumë i madh gjë e cila i pengon në zhvillimin e mësimit. Aslian Snopçe, përgjegjëse për arsim pranë Komunës së Gostivarit thekson se mungesa më e madhe e librave paraqitet te shkollat profesionale.
“Shqetësim më i madh ishte mungesa e librave, kryesisht te shkollat profesionale, shkolla teknike, e mjekësisë dhe shkolla ekonomike. Ata ishin shumë të zëshëm në këtë drejtim dhe ishin të gatshëm të shkojnë deri në ministri dhe të kërkojnë të drejtën e tyre. Normalisht, ata e cekën se u vështirësohet shumë puna edhe mësimdhënësve të cilët gjatë gjithë kohës duhet ta diktojnë mësimin dhe nuk mbetet kohë për mësim siç duhet me kritikë ndaj veprave apo analizë të mësimeve”, deklaroi Aslian Snopçe, përgjegjëse për arsim pranë Komunës së Gostivarit.
Drejtorët e shkollave profesionale e konfirmojnë mungesën e madhe të librave. Elbash Abazi, drejtor i shkollës së mjekësisë në Gostivar thotë se nuk i posedojnë as 10 për qind të librave të nevojshme.
“Më e nevojshme është të sigurohen librat pasi shkolla jonë nuk ka as dhjetë për qind libra, ndërsa Ministria e Arsimit vazhdon të jetë e shurdhër për këtë rast”, deklaron drejtori i Shkollës së Mesme të Mjekësisë, Elbash Abazi.
Janë mbi 25 mijë libra që mungojnë në shkollat e Gostivarit. Nga MASH kanë paralajmëruar se shtypja e teksteve që mungojnë do të fillojë nga muaj i ardhshëm. Poashtu, Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se Shërbimi Pedagogjik ka miratuar deri më tani 73 tekste për arsimin e mesëm profesional katërvjeçar, për lëndët e përgjithshme-arsimore dhe për gjimnazin matematiko-informatik.