Rrugët i keni të këqija dhe ju duhet t’i riparoni ato.
Ky është mesazhi kryesor që nobelisti Paul Krugman u dërgoi autoriteteve vendase nga forumi ekonomik në vend.
Ai thotë se çelësi i zhvillimit ekonomik dhe tërheqjes së investitorëve qëndron në infrastrukturë të mirë dhe shpreson që autoritetet tashmë të jenë duke punuar në të.
“Në këtë krizë globale, investitorët do të zhvendosin fabrikat në Ballkan ku kostot janë më të ulëta, prandaj të gjithë duhet të jeni të gatshëm për t’i tërhequr ata”, tha Krugman.
“Fabrika nga Holanda dhe Belgjika, nëse do të donin të zhvendosnin prodhimin këtu, dijeni se infrastruktura për transportin është më e rëndësishmja”, tha Paul Krugman, një laureat i Nobelit në ekonomi.
Vlerësimi i tij i përgjithshëm për zhvillimet globale është se bota nuk do të bjerë në recesion, por se të gjitha vendet do të përballen me stagnim të rritjes ekonomike.
Sipas tij, inflacioni do të vazhdojë edhe në dy vitet e ardhshme, por me ritme të moderuara të rritjes.
Edhe kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski pret që pas gjysmës së dytë të vitit të ketë stabilizim të çmimeve.
“Me stabilizimin e presioneve të çmimeve duke normalizuar ofertën, por edhe duke zbatuar planin e rritjes, parashikimet janë që në vendin tonë rritja afatmesme të përshpejtohet për këtë vit në 3.2 përqind. Këto projeksione janë në përputhje me projeksionet e fundit të FMN-së”, tha kryeministri Kovaçevski.
Për të frenuar valën e inflacionit, Krugman tha se bankat qendrore po parashohin të rrisnin normat e interesit, edhe pse roli i tyre në krizë ishte i kufizuar.
Kryeministri Kovaçevski garantoi se vendi do të sigurojë mjete nga institucionet ndërkombëtare për mbulimin e borxheve, pa specifikuar saktësisht se prej ku do të merren paratë.