LajmeRajon

Rama: Agjencia izraelite, partnere strategjike e Shqipërisë në sigurinë kibernetike

Përmes një postimi në rrjete sociale kryeministri Edi Rama njofton se Agjencia Izraelite e Sigurisë Kibernetike do të jetë partnere strategjike e Shqipërisë në fuqizimin e mbrojtjes kibernetike dhe ngritjen e një qendre ekselence për sigurinë kibernetike.

Lajmin për partneritetin Rama e njofton shoqëruar me një foto nga takimi me Gaby Portnoy, shefin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit dhe ish-gjeneral i ushtrisë së këtij vendi.

” Me drejtuesin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Izraelit, e cila do të jetë partneri ynë strategjik në fuqizimin e mbrojtjes kibernetike dhe ngritjen e një qendre ekselence për sigurinë kibernetike“, shkruan Rama.

Kryeministri ndodhet prej dy ditësh në Izrael ku është takuar me krerët më të lartë të shtetit. Sot Rama ndau pamje nga takimi me Kryetarin e Kuvendit të Izraelit Miki Levi, me të cilin diskutuan mes të tjerash mbi perspektivën e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve, me theks të veçantë, shkëmbimin e eksperiencave në fusha ku Izraeli ka tashmë përvojë të konsoliduar, si siguria kibernetike, turizmi, bujqësia, etj.

Gjithashtu kryeministri Rama u takua sot edhe me liderin e opozitës së Izraelit Benjamin Netanyahu, me të cilin vlerësuan bashkëpunimin gjithnjë të frytshëm mes qeverive në të kaluarën, si dhe vullnetin dhe angazhimin e përbashkët për të forcuar këtë bashkëpunim me drejtuesit aktualë të qeverisë.

Show More

Related Articles

Back to top button