Rishi Sunak do të bëhet zyrtarisht kryeministri i Britanisë së Madhe këtë mëngjes, pasi fitoi garën për lidershipin e Partisë Konservatore. Sunak do të udhëtojë sot për Pallatin Buckingham, ku mbreti Charles do t’i japë zyrtarisht postin e kryeministrit, pasi të japë dorëheqjen Liz Truss.
Në orën 09:00 me orën lokale, Truss do të mbajë mbledhjen e fundit të kabinetit, që do të pasohet më pas duke dhënë dorëheqjen tek mbreti. Sunak është kryeministri i parë indian në Britani dhe njëkohësisht edhe kryeministri më i ri në më shumë se një shekull, 42 vjeç.
Sunak do të marrë detyrën në një kohë kur Britania e Madhe po përballet me sfida të mëdha ekonomike. Sunak ende nuk ka shpalosur ndonjë plan të detajuar për të ringritur ekonominë e vendit, përveç gjatë fushatës që bëri gjatë verës për t’u zgjedhur si lideri i konservatorëve përballë Liz Truss.
Sunak do të jetë kryeministri i katërt radhazi, pas Theresa May, Boris Johnson dhe Liz Truss, që do të marrë pushtetin pa zgjedhje të përgjithshme. Por nga ana tjetër opozita ka përsëritur thirrjen për t’u futur në zgjedhje të përgjithshme, duke argumentuar se Sunak nuk ka një mandat demokratik për t’u bërë kryeministër.
Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme nuk do të zhvillohen të paktën deri në vitin 2024, pasi konservatorët fituan një shumicë dërrmuese në të fundit në 2019. Sunak nuk është i detyruar të thërrasë zgjedhje të parakohshme sipas sistemit politik parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar.