Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (u.d.) Arben Taravari, u prit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj, takim i ky i cili u cilësua si i frytshëm dhe vëllazëror, duke konfirmuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve, me zotimin për thellimin e tyre.
Kryetarin Taravari në presidencën shqiptare e shoqëruan bashkëpartiakët Isen Shabani – Kryetar i Komunës së Vrapçishtit dhe Artina Qazimi, Abdulla Saliu dhe Syrija Rashidi – deputetë në Kuvendin e RMV-së.
“Duke e uruar për detyrën, e falënderova Presidentin Begaj për rolin e pazëvendësueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimet rajonale, përfshirë solidaritetin shembullor me fqinjët në rrugën tonë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian. Përgëzova Presidentin për lidershipin e dëshmuar nga Republika e Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar i cili po dëshmohet edhe me organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor të 6 dhjetorit, një ngjarje historike për Tiranën dhe tërë rajonin”, u shpreh kryetari Taravari pas takimit.
Në këtë takim u bisedua edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor duke theksuar progresin e arritur në Procesin e Berlinit dhe Tregut të përbashkët rajonal, ndërsa janë trajtuar edhe shumë çështje me interes të përbashkët, si Abetarja e Përbashkët dhe Shtëpia e Alfabetit në Manastir.
“I kërkova Presidentit angazhimin e tij për ta shpëtuar këtë trashëgimi shpirtërore shqiptare nga falimentimi i paralajmëruar ditë më parë. Diskutuam edhe për realizimin e disa projekteve tjera strategjike për kombin, siç janë linja hekurudhore Kërçovë-Lin dhe Rruga e Arbërit”, thekson kryetari i ASH-së, dr. Arben Taravari.
Kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme që Aleanca për Shqiptarët, si subjekti më i madh opozitar ka me shtetin shqiptar.