Lista Serbe ka kërkuar një takim urgjent me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për çështjen e targave.
Lista Serbe ka thënë se deklarimet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, provokojnë frikën te qytetarët serbë, veçanërisht ata në veri të Kosovës.
“Në emër të serbëve nga Kosova e m. dhe në lidhje me deklaratat e Albin Kurtit që nga 1 nëntori do të nisë konfiskimi i veturave të qytetarëve tanë me targa serbe, ne përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e M. po kërkojmë takim urgjent me presidentin Aleksandar Vuçiq. Paralajmërimi i Albin Kurtit për veprime të dhunshme ndaj qytetarëve tanë, veçanërisht atyre në veri të Kosoëvs e M., provokojnë frikë dhe pasiguri dhe është e nevojshme të takohemi urgjentisht dhe të pajtohemi se si të ruhet paqja dhe siguria e qytetarëve, por edhe për interesat jetike të popullit tonë, pasi të gjithë e kanë të qartë se populli ynë nuk pajtohet me vendimet e njëanshme të Prishtinës që kanë synim të largojnë çdo gjë serbe nga këto territore”, ka shkruar Lista Serbe në Facebook.
Lista Serbe ka akuzuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po do krizë e tensione.
“Deklaratat e fundit të Albin Kurtit tregojnë qartë se në Prishtinë nuk ekziston dëshira për gjetjen e një marrëveshje kompromisi, por vetëm dëshira për nxitje të krizave e tensioneve, veçanërisht në veri të Kosovës e M. Populli serb në Kosovë e M. i beson shtetit të saj Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiqi, se së bashku do t’i përgjigjemi të gjitha sfidave që janë para nesh”, thuhet nga Lista Serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të mëtutjeshme të afatit për aplikimin e vendimit për targat.
Deri më 31 tetor është afati ku mund të ndërrohen targat nga ato ilegale në ato legale RKS.
Qeveria e Kosovës disa herë ka bërë thirrje madje edhe me videomesazhe, për të ndërruar targat. Madje janë ofruar lehtësira, duke mos pasur nevojë për pagesë për ndërrimin e targave.