LajmeMaqedoni

RMV, qytetarët do të njihen më mirë me punën e Kuvendit përmes karvanit parlamentar

Nxënia e njohurive për punën e Kuvendit, historiku i parlamentarizmit, procedura legjislative dhe tema të tjera të punës së institucionit, si dhe takimet me deputetët e komunave do të jenë pjesë e karvanit parlamentar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përveç qëllimit edukativ, aktivitetet kanë për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së Kuvendit, njofton Portalb.mk.

Karvani “Kuvendi për qytetarët” do të vizitojë 12 qytete të vendit, ndërsa evenimenti final do të mbahet në Shkup. Projekti realizohet në kuadër të “Programit për Mbështetjen Parlamentare” i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) përmes Ambasadës Zvicerane.

“Ky karvan është një mënyrë ndryshe e afrimit të mënyrës së funksionimit të Dhomës Ligjvënëse dhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut te qytetarët, legjitimitetin e të cilëve e gëzojnë në bankat parlamentare. Kjo është mundësi shtesë për ata qytetarë që të njihen me deputetët e zgjedhur nga njësitë e tyre zgjedhore në qytetet ku jetojnë dhe punojnë” , tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Aktivitetet filluan më 25 tetor në Shtip dhe më pas vazhdojnë sipas orarit:
Kavadar (26.10), Gjevgjeli (27.10), Strumicë (28.10), Radovish (31.10), Koçani (1.11), Veles (2.11), Prilep (3.11), Manastir (4.11), Ohër (7.11), Dibër (8.11) dhe Gostivar (9.11). Karvani do të përmbyllet me evenimentin final të caktuar më 12 nëntor (e shtunë), në parkun “Zhena-Borec”, me fillim në orën 11:00.

“Qytetarët mund të marrin pjesë në demokracinë në Republikën e Maqedonisë së Veriut jo vetëm duke votuar në zgjedhje, por edhe duke ndarë idetë dhe çështjet që i shqetësojnë me përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Rolet legjislative dhe mbikëqyrëse të Kuvendit janë më të fuqishme kur zëri i qytetarëve dëgjohet dhe qëndrimet e tyre përfaqësohen nga deputetët në Kuvend”, theksoi Robert Scott Heaslet, lider i ekipit të “Programit për Mbështetjen Parlamentare”.

Gjatë karvanit, qytetarët do të kenë mundësinë të nxënë njohuri për tema si historiku i parlamentarizmit, procesi i miratimit të ligjeve, mandati dhe imuniteti i deputetëve, marrëdhëniet me institucionet e tjera qeveritare, organizimi dhe funksionimi, zgjedhjet parlamentare, si dhe kontrollimi politik dhe mbikëqyrës i Qeverisë nga Kuvendi. Në secilin nga lokacionet ku do të mbahet karvani do të jenë të pranishëm edhe deputetët e komunës përkatëse, ku qytetarët do të kenë mundësinë të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me ta dhe të shkëmbejnë mendime.

Fushata “Kuvendi për qytetarët” realizohet në kuadër të “Programit për Mbështetjen Parlamentare”, projekt 10-vjeçar i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) përmes Ambasadës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Programi për Mbështetjen Parlamentare” zbatohet nga Instituti Demokratik Nacional (NDI), Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCSH) dhe Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN).

Show More

Related Articles

Back to top button