Me kalimin e ditëve gjithnjë e më shumë po humb interesimi i qytetarëve të rajonit të Gostivarit për t’u vaksinuar me vaksinat anti-kovid. Ekipi ynë vizitoi pikën e vaksinimit në shtëpinë e shëndetit në Gostivar, ku u njoftuam se evidentohet rënie drastike e numrit të qytatarëve të interesuar për të pranuar qoftë dozën e parë, të dytë, apo të tretë. Koordinatorja e vaksinimit në Gostivar, mjekja Dafina Bogdanovska thotë se në dispozicion të qytetarëve janë vaksinat “Pfizer” me afat përdorimit deri në qershor 2022 dhe “Sinovac” me afat deri në vitin 2023.
“Orari i punës në pikën e vaksinimit është nga ora 08:00 deri në ora 15:00. Do apeloja qytetarët të mos lirohen shumë sidomos me atë se ka rënë numri i të sëmurëve në Gostivar dhe se nuk qenka diçka e madhe nëse nuk pranojnë vaksinë. Do thoja se vaksina e mbron njeriun dhe me atë mbrohet edhe rrethi, pasi do thoja se ka fëmijë dhe qytetarë të tjerë të sëmurë nga sëmundje të tjera dhe nuk mund të vaksinohen dhe ekziston rreziku për infektim. Do theksoja edhe atë se popullata mbi 65 vjeç që kanë sëmundje tjera, komorbiditete, sidomos sëmundje malinje, kronike, diabet është e preferuar të vijnë të vaskinohen edhe me dozën e tretë”, deklaroi Dafina Bogdanovska, koordinatore e vaksinimit në Gostivar.
Nga data 1 mars ka filluar edhe fushata e “motivimit”, me apele përmes SMS porosive për vaksinim.
“Ndoshta gjatë kësaj periudhe qytetarët do të pranojnë edhe SMS porosi në telefonat e tyre celularë apo thirrje telefonike, thjeshtë për rikujtim se duhet të vijnë të pranojnë ose dozën e tretë për ta riparuar imunitetin ose ata që nuk janë të vaksinuar, ta pranojnë dozën e parë”, deklaroi më tej mjekja Bogdanovska.
Gostivari mbetet ndër qytetat me më pakë banorë të imunizuar. Mjekja Bogdanovska thotë se shfuqizimi i ceritifikateve do ta ulë edhe më shumë inetersimin. Megjithatë, thekson se nëse duam t’i heqim edhe maskat, sidomos te fëmijët, konkretisht nxënësit, patjetër të imunizohemi.
“Ndoshta rreth 7.000, por prap përqindja e të vaksinuarve në Gostivar është shumë e vogël, diku rreth 34 % nga ajo që kam lexuar së fundmi. Përqindje e mirë e vaksinimit të popullatës gjithmonë llogaritet, pavarësisht me cilën vaksinë, kur kemi mbi 90 %. Duke e parë këtë përqindje që kemi dhe ajo që duhet ta kemi, përqindja është shumë e ulët”, sqaron Dafina Bogdanovska, koordinatore e vaksinimit në Gostivar.
Ndryshe, në rajonin e Gostivarit sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, pothuajse çdo ditë regjistrohen nga nga 5 deri në 10 persona të infektuar me COVID-19.