Kjo rrugë e lënë në harresë, ishte shfrytëzuar deri para gjysëm shekulli. Ka lidhur fshatin Çajlë me Forinën dhe Çegranin, ndërsa çajlasit e kanë shfrytëzuar edhe për të shkuar deri te tokat e tyre me të mbjella bujqësore. Për 50 vite ajo ishte mbushur me mbeturina dhe drunjë duke e sjellur atë në një gjendje të pashfrytëzueshme. Bashkësia Lokale e fshatit Çajlë duke parë rëndësinë e saj, merr iniciativë për t’a rihapur sërish. Makineritë nga dita e sotme kishin nisur punimet. Pas pastrimit, zgjerimit dhe rrafshimit e njejta do të shtrohet me tampon.
“Kjo rrugë shfrytëzohet nga bujqit, ata nga kjo rrugë kalojnë te tokat e tyre. Kjo do t’i ndihmojë që të mos futen te tokat e huaja dhe të shkaktohet dëm siç ka ndodhur deri më tani. Kjo rrugë ka ekzistuar që para 50 vitesh e më shumë nga e cila kanë kaluar forinasit dhe çegranasit. E njejta me ndërtimin e rrugës së re, ka mbetur pas dore”, deklaron Sinan Elezi, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Çajlë.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Çajlë, Sinan Elezi thotë se kostoja e punimeve shkon në deri 30 mijë euro, por nuk do të paguhet asgjë pasi e njejta bëhet me vetë-kontribut të banorëve dhe mërgatës.
“Bashkësia Lokale me vendasit e bën dhe unë u falenderohem atyre dhe kompanisë “Zhuçi Trans”, pasi tani kemi krizë të madhe nuk kemi kapacitet që ta bëjmë me kontributin tonë. E bënë kjo kompani dhe besoj se do të bëhet një rrugë me rëndësi që do të ju shërbejë bujqive të shkojnë deri te tokat e tyre”, deklaron Sinan Elezi, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Çajlë.
Kjo rrugë të nxjerrë te ura në hyrje të fshatit Forinë dhe e njejta pos bujqive të Çajlës do të mund të shfrytëzohete si rrugë alternative dhe nga të tjerët për lëvizje, sidomos verës ku rruga kryesore është e mbingarkuar.
“Mendojmë për një javë të jetë gati dhe gjatësinë saktë nuk e di, por mendoj se rruga është katër deri në pesë kilometra dhe e njejta del në fshatin Forinë. E shihini edhe ju se këto toka nga të dyja anët nuk kanë pasur rrugë dhe kanë shfrytëzuar tokat e njëri-tjetrit për të lëvizur dhe dikush ka të mbjellura dhe është mëkat të shkilen ato të mbjellura, pasi në këtë kohë krize gjithçka kushton shumë”, deklaron Sinan Elezi, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Çajlë.
Kjo rrugë me rëndësi të dyfishtë rihapet me kërkesë të banorëve të Çajlës të cilët përgjatë saj kanë tokat e tyre. Pasi bëhet fjalë për mijëra hektarë tokë pjellore por pa rrugë, Bashkësia Lokale e fshatit harton projektin që t’ua lehtësojë banorëve lëvizjen dhe mos ndalen të mbjellurat sidomos tani kur ka krizë për shumë kultura bujqësore nga të cilat varet drejtëpërdrejtë sigurimi i shumë ushqimeve bazë për konsum.