Presidentja Vjosa Osmani ka mohuar se ka presion ndërkombëtar për shtyrjen e afatit për kthim të targave nga ilegale në ato RKS. Ajo ka theksuar se në bashkëpunim me ta do të gjendet një zgjidhje, me qëllim të sundimit të ligjit dhe që qytetarët serbë të mos ndihen të kërcënuar.
“Unë nuk do ta quaja presion. Gjithçka që vjen nga miqtë tanë është sugjerim me qëllimin më të mirë të mundshëm. Dhe natyrisht që sikurse ne, si liderë institucional të Kosovës, ashtu edhe miqtë tanë, qëllimin e kemi që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë e përtej. Kurse sa i përket qëndrimit tim rreth targave e kam thënë para tri-katër ditësh, është i njëjti. Kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe në koordinim me partnerët tanë do ta gjejmë një zgjidhje, ku qytetarët serbë nuk do të ndihen as të kërcënuar, as të frikësuar, sepse qëllimi është i mirë për ta. Natyrisht, bashkërisht t’i vazhdojmë përpjekjet tona për sundim të ligjit dhe për luftim të bandave kriminale, të cilat po djegin shtëpi, po djegin makina e të tjera”, ka thënë Osmani pas ceremonisë së mbjelljes së drunjve në aksin rrugor tek Aeroporti i Prishtinës.
Ajo është shprehur se për këtë çështje do të gjendet një zgjidhje.
“Ne duhet të ulemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët ku edhe respektohen obligimet ligjore, e kushtetuese që i kemi ne si institucione e në anën tjetër gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, ndihen të mbrojtur, të informuar dhe po ashtu i mbrojmë ata nga kërcënimet e vazhdueshme që po ua bëjnë bandat kriminale serbe. Dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje përpara e cila edhe e respekton afatin edhe i mbron serbët nga këto kërcënime të vazhdueshme që po i kemi”, ka shtuar Osmani.
Qe disa ditë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të zgjasë afatin, që përfundon më 31 tetor, për konvertim të targave ilegale, kryesisht ato të lëshuara nga Serbia, në targa RKS. Megjithatë, Qeveria ka vendosur që të vazhdojë me vendimet e mëhershme. Afati do të mbyllet edhe pesë ditë. Deri tash 18 vetura kanë konvertuar targat. /KP