LajmeRajon

Bislimi sot nis vizitën dyditore në Beograd

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, të enjten do të marrë pjesë në një tryezë diskutimi për dialogun politik në Beograd.

Bislimi, që njëherësh është udhëheq i bisedimeve me Serbinë në nivel të kryenegociatorëve, do të marrë pjesë në diskutimet me temën “Kosova dhe perspektiva evropiane e rajonit”, në kuadër të Forumit për Marrëdhënie Etnike.

Bislimi do të qëndrojë edhe të premten në Beograd për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit dhe do të jetë pjesë e panelit me temën “Kosova dhe Serbia – shmangia e rrugës pa dalje”.

Kjo nuk është hera e parë që Bislimi viziton Serbinë. Në shtator, ai së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishin vizituar komunat në jug të Serbisë, të banuara me shumicë shqiptare.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga viti 2011. Faktori ndërkombëtar po bën përpjekje që të inkurajojë palët që të përmbyllin këtë proces. Por, dy shtetet kanë qëndrime të ndryshme sa i përket fundit të procesit. Kosova kërkon që në një marrëveshje përfundimtare të përfshihet edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Show More

Related Articles

Back to top button