LajmeMaqedoni

RMV, shkollat kanë mungesë të mësuesve për matematikë, fizikë dhe kimi

Mungojnë mësuesit për fizikë, matematikë, kimi, informatikë dhe gjuhë të huaja të cilat mësohen në shkolla, bëri thirrje Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës (SPASh). Shpesh në rrjetet sociale shpërndahen thirrje se në shkolla nuk ka mësues për këto lëndë dhe ftohen studentët të aplikojnë, shkruan Sdk, transmeton Portalb.mk.

Sipas kryetarit të SPASh-it, Tomislav Gievski, problemi me mungesën e kuadrove daton para një dekade, dikur ka ndodhur në zonat rurale, por vitet e fundit ai problem është shfaqur edhe në shkollat ​​e zonave urbane.

“Ky problem vjen si pasojë e të drejtave të dobëta të punës me të cilat përballen të punësuarit në sektorin e arsimit, më saktë, nga paga e ulët, nën mesatare që marrin mësuesit si punëtorë me arsim të lartë, si dhe nga ligjet dhe kontratat kolektive të pafavorshme. Një problem tjetër serioz që ul interesin për të punuar në institucionet arsimore është shkalla e lartë e partizimit, gjegjësisht ndikimi i politikës drejtpërdrejt në shkolla përmes organeve drejtuese që zgjidhen përmes qendrave të pushtetit politik. Një pjesë e madhe e të rinjve i shmangen profesionit të mësuesit sepse duan siguri, pagë të mirë dhe pavarësi dhe pikërisht kjo është arsyeja kryesore e mungesës së kuadrove”, thotë Gievski.

Lidhur me faktin se studentët thirren të aplikojnë, Gievski thotë se punëtorët e arsimit punësohen përmes konkurseve publike. Nëse dy herë radhazi nuk paraqitet punonjës i përshtatshëm në shpallje publike, shkolla mund të krijojë marrëdhënie pune deri në fund të vitit shkollor me një person që nuk ka arsimin e duhur, përkatësisht student që akoma nuk ka diplomuar. Në disa prej shkollave studentët janë të angazhuar në pozitë pune – mësues, por ka edhe shembuj kur nxënësit humbasin nga mësimi për shkak se nuk gjejnë punëtor të përshtatshëm, por as edhe student që studion lëndën.

“Për këtë problem të serioz, ne si sindikatë e pavarur në disa raste kemi ngritur alarmin në 5 vitet e fundit me letra, konferenca për shtyp dhe protesta, kemi deklaruar publikisht problemet që lindin si pasojë e nëpërkëmbjes dhe mosrespektimit të të drejtave të pedagogëve. Nëse vazhdon e njëjta gjë, parashikojmë se problemi i mungesës së stafit do të rritet gjithnjë e më shumë dhe kriza do të thellohet. Presim që ministria përkatëse ta marrë seriozisht problemin dhe seriozisht t’i qaset zgjidhjes së tij”, tha Gievski.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) pajtohen se prej vitesh vendi po përballet me mungesë të stafit mësimdhënës në lëndët e matematikës, kimisë dhe fizikës. Ata thonë se tek të rinjtë nuk ka interes të mjaftueshëm për të zgjedhur institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në këto fusha dhe për këtë nuk prodhohet mjaftueshëm staf që duhet të marrë pozitat e stafit tashmë të punësuar në shkolla, i cili sigurisht, kur largohet në pension duhet dikush ta pasojë.

“Po mundohemi të stimulojmë të rinjtë që të zgjedhin këto fusha dhe të punojnë profesionalisht brenda tyre. Kjo kërkon ngritjen e motivimit, interesit dhe dëshirës personale. Dhe kjo arrihet përmes modernizimit të mësimdhënies në këto, por edhe në të gjitha lëndët e tjera, në arsimin fillor dhe të mesëm. Dhe për këtë ne punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë në përmirësimin e përmbajtjeve të planprogrameve dhe teksteve, trajnimin e mësuesve për kreativitet më të madh në mësimdhënien e lëndës që do t’i intrigojë të rinjtë, dhënien e çmimeve në të holla për fitimin e vendeve të larta (nga vendi i parë në të tretë)nnë garat ndërkombëtare në matematikë dhe shkenca natyrore (kimi, fizikë dhe biologji), çmime në para për medaljet e fituara në olimpiadat shkencore ndërkombëtare, duke përfshirë matematikën, fizikën, kiminë. Së fundmi është hapur gjimnazi i specializuar matematikor, ku janë regjistruar nxënës jashtëzakonisht të talentuar nga këto fusha”, thanë nga MASh.

Nga atje thonë se Ministria ndan bursa për studentët që regjistrohen ose do të regjistrohen në programet e studimit në matematikë, fizikë dhe kimi dhe do të arrijnë notën mesatare prej së paku 7.00 gjatë shkollimit paraprak në institucionin e arsimit të lartë përkatës. Këto janë bursat më të larta të dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për studime në institucionet e arsimit të lartë vendas dhe kapin vlerën prej 300 euro në muaj.

“Kështu që, shpresojmë që situata gradualisht të kthehet në normalitet dhe të sigurojmë një numër optimal të mësimdhënësve për këto lëndë në mënyrë që të plotësojmë nevojat në të gjitha komunat dhe shkollat”, thonë nga Ministria e Arsimit.

Show More

Related Articles

Back to top button