“Ne filluam të parët që kërkuam heqjen e formulimit 20 për qind nga kushtetuta dhe të qëndrojë në Kushtetutë: Shqiptarët dhe gjuha shqipe. Është momenti që të korigjohet kjo padrejtësi dhe të respektohen shqiptarët. Mendoj se ka vullnet, përpos nëse ka ndonjë qëllim në prapaskenë që të pengohet në tërësi procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE”.
Këtë e ka theksuar mbrëmë, kryetari në detyrë i ASH-së, Arben Taravari në emisionin “Vetëm e vërteta” në Kanal5, përcjell INA.
Sa i përket kushtëzimeve të paralajmëruara të kreut të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, Taravari theksoi se nuk është momenti të bëhen kushtëzime, sepse në pikëpamjen e përgjithshme shohim se ka vullnet për të bërë ndryshime për heqjen e 20%.
Taravari shtoi se nuk ka nevojë të flitet për çështje që nuk janë shumë problematike. “Kujt i pengon Badenteri, kur shqiptarët kanë keqpërdorur Badenterin, pse ka nevojë për gjëra të tilla”, theksoi Taravari. Sipas tij, Maqedonia e Veriut ka nevojë për një kushtetutë të re, pasi që aktualja ka qenë pjesë e një procesi të vazhdueshëm të ndryshimeve.
Ai shtoi se përse po krijohen tendenca dhe lajme të rrejshme duke fabrikuar të pavërteta që kanë të bëjnë me çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët. Kreu i ASH-së theksoi se vendi duhet të shoh përpara dhe të miratoj ndryshimet kushtetuese për të arritur qëllimin për në BE./INA/