LajmeMaqedoni

Kryqi i Kuq i Maqedonisë dërgoi pako me ndihma për Kryqin e Kuq të Ukrainës

Kamioni i dytë me ndihma humanitare të Kryqit të Kuq udhëtoi sot drejt Ukrainës, 1200 pako me ushqime dhe 400 pako me produkte higjienike që do të mbërrijnë si mbështetje për ata që kanë më shumë nevojë.

Sekretari i përgjithshëm Sait Saiti shpreson se për dy ditë produktet do t’i dorëzohen Kryqit të Kuq të Ukrainës, ndërsa zëvendësambasadori i Ukrainës në vend shprehu mirënjohje për solidarizimin nga Maqedonia.

“Shpresojmë që në dy ditët e ardhshme ndihma të arrijë atje ku duhet dhe shpresojmë që të jemi një pjesë e vogël e kontributit në gjithë atë që është një përpjekje për t’u përballur me pasojat e konfliktit në Ukrainë”, tha Sait Saiti, Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë.

“Dëshiroj të falenderoj Kryqin e Kuq të Republikës së Maqedonisë dhe të gjithë popullin e Republikës së Maqedonisë që në këto momente të vështira për ne, për popullin e Ukrainës që po vuan nga lufta që po ndodh tani në territorin tonë, shprehni mbështetje dhe solidarizim”, tha Roman Buga, zëvendës ambasador i Ukrainës në Maqedoni.

Përveç dërgesës së ndihmave humanitare, Maqedonia ka qenë shtëpia e më shumë se 300 personave që ikën nga lufta për disa muaj.

Në vend, siç theksoi Saiti marrin kujdes të plotë shumë refugjatë, nisur nga shëndetësia deri te arsimi, dhe disa ukrainas tashmë kanë filluar të mësojnë gjuhën maqedonase.

Show More

Related Articles

Back to top button