Mos investimi nga ana e shtetit në arsim, ka bërë që profesioni arsimtar të zhvlerësohet gjithnjë e më shumë. Ndryshe nga më parë kur mësimdhënësit gëzonin autoritet, sot kërkesat dhe shqetësimet e tyre nuk përfillen fare. Pjesëmarrësit në konferencën shkencore, të organizuar nga Shoqata akademike shqiptare për shkencë dhe art DODONA nga Tetova kërkuan hapa konkret për përmirësimin e kushteve në arsim.
“Arsimi është diçka specifike dhe me rëndësi jetike për gjithë popujt dhe qytetërimet. Andaj Qeveria duhet t’i kushtojë më tepër kujdes kësaj që të ketë kualitet të punës, së pari, t’i shtojë rrogat e arsimtarëve, pastaj të kërkojë përgjegjësi pune, që të njëjtët, të mos merren me punë të dyta të treta por të kenë si punë dhe përkushtim jetësor punën. Tash kemi më pak nxënës, më pak arsimtarë, e më pak shkolla, pra duhet më shumë punë dhe përkushtim”, tha Hasan Jashari, Profesor universitar.
Përveç gjendjes së mjerueshme në të cilën janë lënë arsimtarët, të njëjtët kanë edhe problemet me tekstet shkollore.
“Është për t’u habitur se tekstet shkojnë në duar të lektorëve, redaktorëve dhe secili libër ka emra redaktorësh e lektorësh por kur i shohim në çfarë gjendje është habitemi. Që në kopertinë shihen gabimet drejtshkrimore, ku kanë edhe fotografitë dhe është për tu habitur. Paramendojeni klasa shkruhet me dy “S”. Dikush mund të thotë janë lëshime teknike po jo, janë për tu habitur kur i shohim tekstet dhe ajo se çka iu servojmë nxënësve, kjo është keq. Ministria duhet t’i sheh, por nuk mund të themi se ministri ka faj, se dikush ia dërgon ministrit”, deklaroi Donika Bakiu, Prof. Universitar.
Në konferencën e sotme po ashtu u prezantuan edhe nëntë anëtarë të rinj akademikë, me punimet e tyre shkencore, mbi temën e arsimit shqip në Pollog, mes viteve 1941-1944./.Alsat.mk