Lituania po organizon manovrat e saj më të mëdha ushtarake së bashku me aleatët e NATO-s. Në stërvitjet dyjavore “Ujku i Hekurt”, që do të mbarojnë të dielën, po marrin pjesë më shumë se 3,500 trupa të ushtrisë lituaneze dhe tetë vendeve të tjera të NATO-s.
Në manovrat ushtarake u angazhuan edhe automjetet luftarake të këmbësorisë belge “Piranha” dhe ato lituaneze “Vilkas” së bashku me tanket gjermane “Leopard 2”.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë kanë bërë thirrje që në rajonin e tyre të ketë dislokim më të madh të forcave të NATO-s të gatshme për luftim në Evropë, për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Por vendet e NATO-s nuk ishin të gatshme të angazhoheshin për ndërtimin e bazave të përhershme në Baltik, pasi kjo do të kushtonte miliarda dollarë dhe do të ishte e vështirë për t’u mbajtur. Vendet mund të mos kenë trupa dhe armatime të mjaftueshme dhe një prani e përhershme do të ishte shumë provokuese për Moskën.
Në vend të kësaj, NATO vendosi në gjendje gatishmërie mijëra trupa të reagimit të shpejt në vendet më në perëndim si Gjermania.
“Ne kemi mundësinë të shohim se si trupat tona të NATO-s janë të bashkuara për të njëjtën detyrë, për t’u përgatitur për të mbrojtur zonën e NATO-s, ose për të mbrojtur vendet e NATO-s si Lituania. Dhe ne lituanëzët ndihemi vërtet të mbrojtur sepse aleatët tanë janë dislokuar në territorin tonë”, tha shefi i mbrojtjes së Lituanisë, gjenerali Valdemaras Rupsys.
“Stërvitja “Ujku i Hekurt” tregon se ne jemi gati për betejat luftarake, dhe po demonstrojmë aftësitë frenuese. Nëse kjo dështon, ne jemi të gatshëm për të luftuar për lituanezët dhe së bashku me partnerët tanë të NATO-s për të mbrojtur territorin lindor të NATO-s”, tha komandanti i trupave gjermane në Lituani, Lejtnant Koloneli Marco Maulbecker.
Gjermania vendosi trupat e saj të para në Lituani, në kufirin me Rusinë, në vitin 2017 pasi Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në 2014. Ajo ra dakord të rrisë ndjeshëm misionin e saj në qershor në përgjigje sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt.