Përfaqësuesit politikë të Serbisë në Kosovë nuk u mjafton vendimi i Albin Kurtit të premten. Edhe pse vendimi për konfiskimin e targave të paligjshme u shty, ata bëjnë thirrje për mosbindje civile ndaj policisë kosovare e cila ka për detyrë të gjobisë disponuesit e targave ilegale.
Nga e marta hyjnë në fuqi masat e reja për riregjistrimin e targave të makinave të popullsisë serbe që jeton në veri të Kosovës të cilëve iu është kërkuar që të zëvendësojnë targat e lëshuara nga autoritetet serbe në sistemin RKS.
Kreu i të ashtuquajturës zyra për Kosovën nën diktatin serb, Petar Petkoviç e ka quajtur vendimin ilegjitim dhe pretendon se nuk është në përputhje me marrëveshjet e konkluduara në dialogun mes dy vendeve.
Ai i ka bërë thirrje edhe njëherë Uashingtonit dhe Brukselit që të ndërmarrin veprime konkrete për të shmangur konfliktet, ndërsa pala serbe ka kërcënuar me dhunë ndaj policisë dhe mosbindje civile.
Megjithatë qeveria Kurti me një vendim të së premtes ka qetësuar disi situatën duke propozuar masa administrative për të pabindurit në këmbim të konfiskimit të targave.
Zoti Kurti tha se vendimi final është 21 prilli i vitit të ardhshëm.
Por përsëri pala serbe kërkon me çdo kusht ta tensionojë situatën.
Përfaqësuesit politikë të Beogradit në veri të Kosovës bëjnë thirrje për mosbindje civile ndaj autoriteteve të Prishtinës edhe sikur këto të fundit të tentojnë të vendosin gjoba ndaj shkelësve të ligjit.
Që në krye të herës, qeveria kosovare ka ndërmarrë masa subvencionimi për serbët që do zëvendësonin targat.
Procesi do të ishte tërësisht falas, madje ata do të përfitonin lehtësira doganore nga qeveria.
Autoritetet në Kosovë besojnë se qytetarët serbë po e zbatojnë vendimin, por ata vihen në presion nga përfaqësuesit politikë dhe strukturat ilegale në veri të Kosovës nga eksponentë të krimit dhe partisë Srpska Lista.
Kujtojmë që në 31 korrik grupet ilegale serbe bllokuan hyrje daljet nëpër pikat kufitare të veriut të Kosovës duke kufizuar lëvizjen në mënyrë të paligjshme.