Dy këshilltarë të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Artrit Mulliqi dhe Ragip Fetahu, janë përplasur mes vete të hënën. Konflikti ka nisur rreth orës 11:00, në oborrin e Komunës së Podujevës, ku siç i është thënë KOHËS, Mulliqi ka akuzuar dy gazetarë se kanë shkruar lajme të rreme për të.
Në oborrin e Komunës, Fetahu i ka thënë Mulliqit se ai ua ka dhënë informacionet gazetarëve për të shkruar lajme.
Në atë moment, ka nisur përleshja, që më pas të dy të përfshirët janë intervistuar nga Policia e Kosovës.
Pas rastit ka reaguar Fetahu nëpërmjet Facebookut. Ai tha se është sulmuar nga Mulliqi.
“Të dashur qytetarë, sot në oborrin e Komunës jam sulmuar fizikisht në Kolegu im z. Artrit Mulliqi. Duke u kthyer për në Komunë, z. Mulliqi më vjen nga pas dhe më drejtohet kështu; ku je ti që sponsoron lajme të rrejshme për mua. Unë i drejtohem; ti ke kërkuar votë për shef të asamblistëve, secili e ka punën e tij, mos m’u drejto mua kështu. Pas këtyre fjalëve z. Mulliqi më kap në këmishe dhe duke më fyer e ofenduar, e duke më sharë me nënë e familje. Kam tentuar disa herë ta largojë me duar por nuk munda. Kam lëvizur me duar pa ndërprerë. Por, ai nuk më lëshonte. Kanë ndërhyrë disa persona për ta larguar dhe në tentim e sipër më godet në pjesën e pasme të kokës duke më shkaktuar dhembje ekstreme të kokës dhe marramendje”, tha Fetahu.
Sipas tij, dëshmi e sulmit ndaj tij janë kamerat e sigurisë.
“Pas kësaj situate, unë jam larguar me shpejtësi nga oborri i komunës, sepse kolegu tërë kohën me shante dhe tentonte të afrohej. Nuk kam pas asnjëherë probleme me këtë person. Kjo mund të jetë vijimësi e problemeve të brendshme partiake dhe mund të jetë frustrim i tij për shkak se nuk ka arrit të sigurojë një votë që i ka munguar për t’u bërë shef i grupit. Ky është inskenim i pastër i formacioneve të brendshme parapolitike të LVV, në raport me mua për shkak të qëndrimeve të mia parimore në interes të qytetarëve të Llapit. Do të jem përjetë vetëm në interes të tyre, e jo pjesë e grupacioneve dhe formacioneve fetare e parapolitike”.
KOHA