Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka kërkuar largimin përfundimtar të Edi Ramës nga çdo funksion.
“Jam sot këtu për të kërkuar dorëheqjen dhe largimin përfundimtar nga çdo funksion të Edi Ramës, i cili me aktet e tij antiligjore, antikushtetuese, është sot simboli më i nxirë i pushtetarit abuziv, që nuk njeh normë, standard moral, ligjor apo kushtetues kur vjen puna për pasurimin e tij, për luksin e tij, për pushtetin e tij”, u shpreh Berisha para gazetarëve.
Kreu i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin se ka vjedhur 420 milionë euro nga taksapaguesit për sipërmarrje personale, raporton Euronews.al.
“Sipërmarrja e Edi Ramës e djegëseve Tiranë, Fier dhe Elbasan është sipërmarrja e vetme në Evropë me imunitet të plotë, në të cilin formalisht shpallen në kërkim menaxherët dhe administratorët e kësaj ndërmarrjeje, por faktikisht, ndonëse të gjitha objektet e krimit nuk konfiskohen dhe ata shëtisin të lirë, madje kanë filluar presionin për t’u çliruar nga akuzat, kjo sipërmarrje merr çdo javë qindra e mijëra euro, që shkojnë në kontot bankare të Edi Ramës dhe ministrave të tjerë me emra të ndryshëm”, deklaroi Berisha.