Është ofruar zgjidhje ligjore për të ju dhënë fund punësimeve partiake në administratën publike por jo edhe për de-politizim të shefave të tyre. Me ndryshimet e parapara ligjore pritet të rregullohet punësimi i administratorëve ndërsa nuk cenohet zgjedhja e drejtorëve, sekretarëve nga ana e partive politike. Kjo pasi ligji për drejtorët profesional tash katër vite flenë në sirtar.
“Në kornizën aktuale ligjore ka vakum të tillë që u jep mundësi partive politike të punësojnë militantët e tyre, ka sistem që edhe pa testime, pa dokumente përkatëse mund të punësohen në sektorin publik. Ne këtë duam ta korrigjojmë, nëse i shihni nenet e ndryshme të ligjeve që i propozojmë, do të shihni që edhe procesi i punësimit tash është shumë më transparent dhe ka sistem meritokratik para punësimit”, tha Admirim Aliti, ministër i shoqërisë informatike dhe administratës.
Për të fituar një vend pune, shpesh herë qytetarët kanë gënjyer për kombësinë e tyre dhe kështu është keqpërdorur Balancuesi. Me ndryshimet e reja ligjore, Aliti potencoi se kjo më nuk do të jetë e mundur.
“Është e vërtetë që kohës së fundit flitet shumë për keqpërdorim të mjetit balancues, me zgjidhjen ligjore tash që e kemi ka zgjidhje për këtë. Gjegjësisht, nga tani e tutje nuk do të mund të keqpërdoret, pra kandidatët të cilët do të aplikojnë për punë të caktuar, nëse njëherë do të përcaktohen si maqedonas apo shqiptar, turk apo ndonjë etni tjetër përkatëse, nuk do të mund ta ndryshojnë më”, deklaroi Admirim Aliti, ministër i shoqërisë informatike dhe administratës.
Ndërkaq për ligjin që do të mundësonte zgjedhjen e drejtorëve, sekretarëve shtetërorë dhe sekretarëve gjeneral nga ana e një komisioni duke u bazuar në sistemin e meritokracisë, ministri tha se ende po punohet në atë drejtim. E përderisa ministri mburrej me ndryshimet e reja, kryetari i SPOGJ-it Trpe Deanoski, theksoi se para çdo gjëje tjetër, në qoftë se duam realisht reforma në administratën publike ligji i parë i cili duhet të kalojë është ai për zgjedhjen e drejtorëve profesional. Ky ligj, sipas tij po bllokohet sepse nuk ju konvenon partive politike.
“Për këtë ligj nga ministria ka dëgjueshmëri, por nuk ka nga ana e partive politike, pra këtë ligj nuk e bllokon ministria, e bllokojnë të gjitha partitë politike sepse nuk ju konvenon të ketë njerëz profesionist dhe të kualifikuar në pozita udhëheqëse. Gjithmonë partitë politike duan të kenë drejtorët e tyre, sekretarët shtetërorë dhe sekretarët gjeneral. Përderisa kjo nuk fillon, reformat në administratë nuk do të vazhdojnë siç duhet”, u shpreh Trpe Dejanoski, kryetar i sindikatit SPOGJ.
Ndryshe, ditë më herët vetë ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti ka pranuar që arsyeja se pse ky ligj po shkon ngadalë është sepse pozicionet e larta udhëheqëse janë gjahu kryesor të cilin e fitojnë partitë politike pas marrjes së pushtetit./Alsat.mk