LajmeMaqedoni

Maqedonia e Veriut e paaftë në luftën e trafikimit të qenie njerëzore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbush standardet për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta arritur këtë. Qeveria në përgjithësi bëri përpjekje të shtuara krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë KOVID-19 dhe kapacitetin e saj shtetëror kundër trafikimit. Kjo është edhe arsyeja pse Maqedonia mbetet në Nivelin 2. Kështu thuhet në Raportin për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të Departamentit të Shtetit Amerikan, ndërsa nënvizohet se në Maqedoni, Qeveria ka identifikuar dukshëm më shumë viktima dhe ka rritur përpjekjet e parandaluese, duke përfshirë këtu edhe miratimin e Strategjisë Kombëtare 2021-2025 dhe Planit Kombëtar të Veprimit (PKV). Sidoqoftë, thuhet në raport, nuk u përmbushën standardet minimale në disa fusha kryesore dhe Qeveria e Maqedonisë dënoi më pak trafikantë dhe policisë vazhdojnë t’i mungojnë fondet dhe pajisjet e duhura për të kryer hetime proaktive. “Në mënyrë të ngjashme, Prokuroria për luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk kishte burime të mjaftueshme, duke përfshirë staf dhe një sistem digjital të menaxhimit të çështjeve, për të trajtuar të gjitha çështjet nën juridiksionin e saj”, thuhet më tej në raport.

Gjatë pesë viteve të fundit, Raporti thekson se trafikantët e qenieve njerëzore po shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Maqedoninë e Veriut, ndërsa po trafikojnë të njëjtat edhe jashtë Maqedonisë.

“Gratë dhe vajzat shfrytëzohen përmes trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit në restorante, bare dhe klube nate. Trafikantët e seksit rekrutojnë viktima të huaja zakonisht nga Evropa Lindore dhe Ballkani, duke përfshirë Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Moldavinë, Rumaninë, Rusinë, Serbinë dhe Ukrainën. Shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe viktimat e huaja që trafikohen jashtë Maqedonisë së Veriut shfrytëzohen për trafik seksi dhe punë të detyruar në sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë në Evropën Jugore, Qendrore dhe Perëndimore. Trafikantët, që shpesh janë të afërm ose miq të ngushtë të viktimave, i shfrytëzojnë edhe fëmijët romë nëpërmjet lypjes së detyruar dhe trafikimit seksual me martesa të detyruara. Në vitin 2021, disa trafikantë tajvanezë rekrutuan punëtorë tajvanezë me premtime të rreme për punë në Maqedoninë e Veriut. Atyre ju konfiskuan pasaportat, ju mbajtën pagat, kufizuan lëvizjen dhe ngritën një qendër thirrjesh ku i detyruan viktimat tajvanezë të bënin telefonata mashtruese”, thuhet në Raport.

Përveç vërejtjeve, Raporti përmban edhe rekomandime drejtuar Qeverisë së Shkupit sikurse është ndjekja serioze penale dhe dënimi i trafikantëve me dënime adekuate, të ndahen mjete të mjaftueshme për policinë dhe prokurorët për të hetuar në mënyrë proaktive trafikimin, të sigurohen burime të mjaftueshme për mbrojtjen e viktimave, përfshirë ekipet e lëvizshme të identifikimit, strehim i sigurt i viktimave dhe mbështetje të specializuara për viktimat, rritje të përpjekjeve proaktive të identifikimit të viktimave të mundshme. Ndryshe, Raporti vjetor mbi trafikimin e qenieve njerëzore i DASH-it ofron një përmbledhje gjithëpërfshirëse të përpjekjeve kundër trafikimit në nivel global, duke vlerësuar objektivisht 188 qeveri, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe angazhimin e shteteve për të mposhtur të gjitha format e trafikimit të qenieve njerëzore. Raportin ditë më parë e publikoi vet Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken.(koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button