Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj deklaratë së PD-së për ngritjen e një Komisionit Hetimor lidhur me udhëtimet e tij jashtë vendit. Në një postim në twitter, Rama e konsideron si përpjekje non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull.
“I Zot të qash a të qeshësh, vetëm këtu bën vaki të të dyndin me shpifje dhe të të thonë bëj transparencë! Po si bëhet kjo transparenca kur u tregon shifrat dhe bëjnë sikur nuk kuptojnë?! Po kur thonë pse i bën reklamë Shqipërisë? Po kujt t’i bëj, kanaleve, portaleve apo rublave?! Jemi pyetur shumë herë këto vite për avionin ALBANIA dhe i kemi dhënë informacionet, po tani u bashkuan hakerat iranianë dhe grupi Rubla Çorba, kështu që u ngrit tymi lart se helbete, duhet hedhur sa më shumë blozë, “S’ka asnjë faj Putini, çohu o popull se duhet rrëzuar regjimi!”, shprehet Kreu i Ekzekutivit.
“Lëre pastaj kur thonë me charter udhëtojnë vetëm sheikët e diktatorët, ndërkohë që tërë qeveritë e rajonit, se Europës po e po, kanë avionët e tyre përjashto Shqipërinë e Kosovën! Ne s’e blejmë dot, me qera s’e marrim dot, ndaj kemi blerë orë fluturimi me marrëveshje promocionale!”, nënvizon më tej Rama.
Kryeministri shton se: “Po ku është hilja thonë se s’ka mundësi?! Ka si s’ka! Hilja është ashiqare fare tek përpjekja non stop për ta helmuar, çoroditur, nxitur për sherr e për konflikt këtë popull me shpifje sa më të përbindshme, nisur nga gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!”./Atsh