Helsinki – Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin i kërkoi të martën Hungarisë dhe Turqisë që të miratojnë me shpejtësi aplikimet e Suedisë dhe të Finlandës për anëtarësim në aleancën e mbrojtjes së NATO-s.
Hungaria dhe Turqia janë dy anëtaret e vetme të NATO-s që kanë mbetur, të cilat nuk i kanë ratifikuar ende aplikimet.
“Të gjithë sytë tani i kanë nga Hungaria dhe Turqia. Ne presim që këto shtete të ratifikojnë aplikimet tona. Mendoj se do të ishte e rëndësishme që kjo të ndodhte mundësisht sa më shpejt,” tha Marin në një konferencë të përbashkët shtypi me krerët e tjerë nordikë.
Finlanda dhe Suedia javën e kaluar përsëritën se do të bashkohen me NATO-n në të njëjtën kohë, duke u paraqitur në një front të bashkuar për Turqinë.
Fqinjët nordikë kërkuan të bashkohen me aleancën e NATO-s në maj në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, por hasën në kundërshtime nga Turqia, e cila i ka akuzuar dy shtetet se strehojnë grupe që i konsideron terroriste.
© SYRI.net