Televizioni Alsat ka siguruar ftesën e kreut të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami drejtuar krerëve të partive politike shqiptare për tryezën e thirrur mbi bazën e Deklaratës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare.
“Një nga pikat kryesore që jemi zotuar është zyrtarizmi i gjuhës shqipe në RMV, ndërsa me Kushtetutën e vendit kemi definicionin nënçmues për gjuhën shqipe, andaj inicimi i takimit të Tryezës së përbashkët ka për qëllim unifikimin e faktorit politik shqiptar që të heqim nocionet nënçmuese si rasti i “20%”dhe të definojmë gjuhën shqipe në kushtetutë konfrom zotimeve tona të përbashkëta”, thuhet në thirrjen e Kasamit drejtuar krerëve të partive politike shqiptare.
Burime nga Lëvizja Besa bëjnë të ditur se ftesa i është drejtuar: Ali Ahmetit, kreytar i BDI-së, Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Menduh Thaçit, kryetar i PDSH-së dhe Afrim Gashit, kryetar i Alternativës. Vendin dhe orën e takimit rekomandohet ta caktojnë partitë përmes komunikimit të sekretarëve të përgjithshëm.