Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se në takimin me kryeministrin Albin Kurti në Berlin diskutuan për situatën në veri.
Borrell tha se veprimet përçarëse, siç është djegia e veturave në veri, janë të papranueshme derisa bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët.
“Ishte mirë takimi me kryeministrin Albin Kurti përpara Procesit të Berlinit. Diskutuam situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, si djegia e veturave, janë të papranueshme. Marrëveshjet e dialogut duhet të respektohen. Ftojmë të gjithë që të veprojnë me përmbajtje. Ne diskutuam gjithashtu rrugën përpara për normalizim”, ka shkruar ai në Twitter, shkruan Klankosova.tv.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka shkruar se para nisjes së Samitit të Procesit të Berlinit është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe Emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Kurti tha se me Borrellin dhe Lajçakun folën për kornizën e marrëveshjes Kosovë-Serbi, vendimin e fundit të qeverisë për targat dhe çështje të tjera.
Ai deklaroi po ashtu se djegia e veturave, me targa RKS, në veri është krim që duhet të dënohet nga të gjithë./abcnews.al/