Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në Berlin në margjina të Samitit, ka biseduar me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Bërnabiq ka thënë se temë ka qenë çështja e targave. Ajo ka thënë se Borrelli e Lajçaku pajtohen se duhet të ketë targa neutrale në Kosovë, porse nuk mund të bëjnë asgjë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës, raporton televizioni serb “RTS”.
“Kam biseduar në Berlin me Josep Borrellin e Miroslav Lajçakun për riregjistrimin e targave në Kosovë e M. Albin Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet nga viti 2011, 2016 dhe 2021 si dhe ka anuluar në mënyrë të njëanshme targat neutrale KS. Ata pajtohen që është kështu dhe se duhet të ketë targa neutrale ndaj statusit, por nuk mund të bëjnë asgjë. Është shkatërruese për mua”, ka thënë Bërnabiq.
Ajo ka shtuar se ka dhjetë vjet që nuk është themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Kurti tha se nuk do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe nga ana tjetër ne na bëjnë presion që të shkojmë me marrëveshje tjera apo përfundimtare, sido që ta quani ju. Si mundet kur nuk është zbatuar një marrëveshje e dakorduar 10 vjet më parë. Këtu bëhet fjalë edhe për besueshmërinë e BE-së, sepse përveç nënshkrimeve të Beogradit dhe Prishtinës, është edhe nënshkrimi i BE-së”, tha Bërnabiq.
Bërnabiq ka shtuar se marrëveshjet e arritura në Samitin e Berlinit janë të rëndësishme për rininë në rajon.
Ajo thotë se marrëveshja për njohje të letërnjoftime nuk ka ndikim në dakordimin për këtë çështje në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
“Ishte mjaft e vështirë për të negoicuar, por ia dolëm. Kjo nuk ka ndikim në atë që kemi rënë dakord për letërnjoftimet, që ruan shtetësinë e Serbisë në Kosovë e M., dhe lehtëson jetën e serbëve në Kosovë. Kjo është e rëndësishme”, tha Bërnabiq.