Duhet të ketë rritje të çmimit të rrymës por jemi larg asaj që t’i shohim të gjithë parametrat, ndërsa KRrE do të caktojë se si dhe sa do të jetë ndikimi, tha zv/kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi. Ai tha se Qeveria po ndërmerr masa tashmë një vit e gjysmë për ndikimin gjatë formimit të çmimit për vitin e ardhshëm që i njëjti të mos jetë goditje ndaj qytetarëve.
“Siç e dini edhe paraprakisht, ne ofruam çmim për energjinë elektrike nga ana e EMV-së deri tek EVN, me çmim shumë më të ulët, i subvencionuar nga qeveria. Kjo mund të jetë një prej masave që të amortizohet rritja eventuale, por ende jemi larg që t’i shohim të gjithë parametrat, ndërsa KRrE të caktojë se si do të jetë ndikimi. Patjetër se jemi të vetëdijshëm se kriza energjetike është këtu dhe se duhet të ketë rritje, por duke u kujdesur që goditja ndaj qytetarëve të jetë më e butë që është e mundur, mendoj se ky është imperativi i qeverisë”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.