VITIN E ARDHSHËM NDIHMË PËR KOMUNAT – 5 MIJË KONTEJNERA PËR RICIKLIMIN E MBETURINAVE
Disa ditë para se të udhëtojë në Egjipt, ku javën e ardhshme do të fillojë COP-27, samiti botëror i klimës, Ministri i Ambientit Jetësor Naser Nuredini thotë se në Maqedoninë e Veriut ka ulje të ndotjes së ajrit, se investohet më shumë në burime të rinovueshme të energjisë dhe në projekte afatgjate për uljen e varësisë energjetike. Nuredini ka paralajmëruar se pushteti qendror do t’u ndihmojë komunave të furnizohen me kamionë dhe për transportin e mbeturinave dhe 5 mijë kontejnerë për riciklim, që shpreson se do të rezultojë me ambient më të pastër jetësor.
Është fakt se kriza energjetike i kthen në përdorim lëndët djegëse fosile, ndotësit kryesorë të ajrit, megjithatë, Ministri Naser Nuredini, i ftuar në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat, konsideron se në mjediset urbane ajri është më i pastër se më parë.
“Në vitet e kaluara kemi pasur ulje të ndotjes së ajrit që tregon se jemi në rrugën e duhur. Theksova që në fillim dhe vazhdimisht e përsëris – për fat të keq nuk kemi zgjidhje të shpejta. Normalisht që duhet të investohet edhe në infrastrukturën për ngrohje qendrore ose për ngrohje në mënyra të tjera. A do të ketë këtë vit më shumë ndotje, këtë nuk mund ta parashikoj. Është e mundur të rritet niveli i ndotjes, por u bëj thirrje qytetarëve të mbajnë llogari me çfarë materiale ngrohen” – tha Nuredini.
Investimet në burime të rinovueshme janë zgjidhje për krizën energjetike, por edhe rruga e duhur deri te ajri më i pastër, uji dhe mjedisi, shton Nuredini.
“Për ne si shtet është e rëndësishme të kemi investime më të mëdha në energji të rinovueshme. Këtë e kemi filluar kohëve të fundit, edhe pse me vonëse, por mendoj se në fakt të gjitha vendet e rajonit janë me vonesë. Megjithatë, kemi filluar, kemi projekte të ndryshme, në Osllomej, në Manastir, për parqet fotovoltaike. Tani kemi edhe një projekt tjetër shumë të rëndësishëm, Çebreni, projekt për hidrocentralin që është në fazën e fundit të evaluimit. Shpresoj të jetë i suksesshëm” – tha Naser Nuredini.
Maqedonia e Veriut ka mbështetje për zhvillimin e teknologjive të pastra dhe efikasitetit energjetik, por Kuvendi i frenon disa nga ligjet kyçe, pranon Nuredini.
“Të flas hapur, kemi ligj që e propozon Ministria e Financave, për huamarrje nga Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim, në vlerë mbi 55 milionë euro. Ato mjete duhet të përdoren nga Ministria jonë për investime në deponi rajonale, për blerjen e kamionëve dhe kontejnerëve , sepse jemi të vetëdijshëm se komunat nuk kanë mundësi financiare që të investojnë, por ligji, për fat të keq, ende është Kuvend. Unë në këtë rast nuk shoh politikë, nuk ka politikë në zgjidhjen e problemit për grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave. Kjo ka të bëjë me çdo qytetar. Unë u bëj thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend, edhe atyre që e udhëheqin komisionin, ta votojnë ligjin sa më shpejt që është e mundur” – deklaroi Naser Nuredini, ministër i ambientit jetësor.
Nuredini për vitin e ardhshëm paralajmëroi prokurimin e 5 mijë kontejnerëve për selektimin e mbeturinave dhe me këtë mendohet jo vetëm që pushteti qendror do t’u ndihmojë komunave, por do të kontribuojë për mjedis më të pastër në të gjithë vendin. /KlanMacedonia/