LajmeRajon

Kokaina në Portin e Durrësit, shpallet në kërkim presidenti i kompanisë “Banaking”, Trifon Murataj

Kokaina në Portin e Durrësit, shpallet në kërkim presidenti i kompanisë “Banaking”, Trifon M Presidenti i kompanisë “Zico” sh.a, Trifon Murataj, që në publik njihet si “Banaking” është shpallur në kërkim nga policia pas kapjes mbrëmë të 33.5 kilogramë kokainë. Po ashtu janë arrestuar administratori si dhe dy punonjës të skanerit, që lanë drogën të kalonte, e cila më pas u zbulua nga qeni antidrogë. Këto janë detajet që dha policia e Durrësit pas kapjes së sasisë 33.5 kilogramë kokainë të gjetur në kontejnerin me banane në Port.

Në operacionin e koduar “Again”, zhvilluar nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Port Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, u vu në pranga administratori i kompanisë që priste ngarkesën me banane, ndërsa është shpallur në kërkim presidenti i kësaj kompanie. Në pranga gjithashtu janë vënë edhe dy punonjës të skanerit, në Portin e Durrësit. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.

Njoftimi i policisë

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për zbardhjen e rastit të trafikimit të 33.5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Again”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

P. D., 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”;

A. N., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë operator skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”;

A. S., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi T. M., 53 vjeç, banues në Tiranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.

Arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontenier me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxori të pastër ngarkesën me banane.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Show More

Related Articles

Back to top button