Një shumicë e ligjvënësve bullgarë miratuan të enjten dërgimin e ndihmës së parë ushtarake të vendit në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, Asambleja Kombëtare votoi 175-49 me një abstenim në favor të një propozimi të paraqitur nga katër parti nominalisht pro-BE.
Qeveria ka tani një muaj për të vendosur se çfarë lloj armësh mund të sigurojë Bullgaria pa prekur aftësitë e saj mbrojtëse.
Bullgaria më parë ra dakord të riparonte pajisjet ushtarake ukrainase në fabrikat e saj, por refuzoi të dërgonte armë drejtpërdrejt për shkak të kundërshtimit të presidentit Rumen Radev dhe partive politike miqësore të vendit ndaj Moskës.
Së bashku me Hungarinë, Bullgaria ishte i vetmi vend anëtar i BE-së që kishte refuzuar t’i jepte Ukrainës armë ndërsa ajo luftonte kundër Rusisë.
“Më shumë armë do të thotë më shumë luftë”, tha kryetarja e Partisë Socialiste Bullgare, Kornelia Ninova, duke shpjeguar pse ligjvënësit e partisë së saj votuan kundër propozimit.
Debati i nxehtë që i parapriu votimit pasqyroi ndarjet në Bullgari që kur Rusia filloi agresionin mbi fqinjin e saj.
Edhe pse vendi i përket si NATO-s dhe BE-së, shumë bullgarë kanë simpati të fortë për Rusinë, të rrënjosura në histori, kulturë dhe fe, shkruan Euronews.
Presidenti Radev, një ish-gjeneral i ushtrisë, është akuzuar për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me Moskën dhe homologun e tij rus Vladimir Putin.
Radev i ka hedhur poshtë akuzat, duke pohuar se e ka dënuar agresionin rus “që nga dita e parë e kësaj lufte”.
Bullgaria gjithashtu mbështetet shumë në furnizimet ruse të energjisë, e cila ka qenë një tjetër pikë mosmarrëveshje midis partive politike pro-ruse dhe pro-BE në Bullgari.
Partia nacionaliste pro-ruse Vazrazhdane u bëri thirrje mbështetësve të saj të mblidhen para ndërtesës së parlamentit për të protestuar kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke thënë se ndihma “e shtyn vendin në luftë”. /Telegrafi/