LajmeRajon

Serbët vendosin sot për largimin nga institucionet e Kosovës

Në veri të Kosovës, më 5 nëntor, do të takohen përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës.

Në veri të Kosovës, më 5 nëntor, do të takohen përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës.

Në të njëjtën ditë në Beograd do të mbahet mbledhja e Qeverisë serbe, për siç është paralajmëruar, situatën në Kosovë.

Në këtë mbledhje do të jetë i pranishëm edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se në takimin e 5 nëntorit do të sugjerojë që serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.

Ky njoftim erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Vendimi kryesisht ka të bëjë për targat KM (Mitrovica e Kosovës) të cilat janë të paligjshme në Kosovë, por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.

Megjithatë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, që janë pjesë e rajonit të veriut, nuk do të respektojnë vendimin e Qeverisë për të qortuar shoferët me targa të lëshuara nga Serbia.

Kështu deklaroi më 2 nëntor, Nenad Gjuriqi, drejtor i policisë për rajonin e veriut, i cili u suspendua nga detyra një ditë më pas.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim, sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë më 5 nëntor se takimi i një nate më parë me presidentin serb, Vuçiç, ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.

Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.

“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Më 3 nëntor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, – i cili është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës – paralajmëroi largimin nga institucionet e Kosovës.

“Duke filluar nga unë personalisht, por edhe punëtorët në vetëqeverisjen lokale, prokurori, gjykata polici dhe në të gjitha institucionet e tjera”.

Ai shtoi se serbët duhet të “forcojnë dhe ndërtojnë” institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.

Ndërkaq, më 2 nëntor, Igor Simiq nga Lista Serbe deklaroi se pjesëtarët e komunitetit serb nuk dëshirojnë të riregjistrojnë makinat në RKS dhe përsëriti se shqiptimi i gjobës së parë do të pasohet “me përgjigje dhe rezistencë të fortë, me të gjitha mjetet demokratike”.

Igor Simiq është deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për të komentuar nëse do t’iu përgjigjej thirrjeve për të kontribuar në shtensionimin e situatës.

Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti. Ndërkaq, në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të komentuar thirrjet e Listës Serbe për rezistencë dhe për të mbështetur policët që të mos zbatojnë planin për riregjistrim.

Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkruar në Facebook se refuzimi për të zbatuar vendimin legjitim të institucioneve të Kosovës paraqet një cenim të rëndë të sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës.

“Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, shkroi Sveçla në Facebook pas suspendimit të Gjuriqit.

Ndërkaq, më 1 nëntor, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se përmes deklaratave, Lista Serbe po tregon se në radhë të parë nuk ka pasur problem me targat.

“Deklaratat e Listës Serbe tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime, por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale. Fakti që duhet të ketë këso kërcënimesh, tregon se qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat [lehtësimet] tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim”, tha ai.

Më 5 nëntor, pas mbledhjes së Qeverisë serbe, Vuçiç do të takohet me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, dhe me atë rus, Aleksandrom Bocanom Harcenkom.

Rusia dhe Kina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe së bashku me Serbinë, e bllokojnë Prishtinën që të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare.

Për shkak të raporteve që ka me Kinën dhe Rusinë, Serbia është kritikuar nga zyrtarët perëndimorë, por edhe për shkak të progresit në integrimet evropiane, pasi Serbia është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas mediave, presidenti serb do të takohet edhe me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.

Përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe gjatë deklarimeve të tyre kanë mohuar pavarësinë e Kosovës.

Çfarë parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës?

Përderisa Serbia dhe përfaqësuesit serbë po e kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës dhe kanë bërë thirrje për rezistencë, në Kosovë kanë thënë se vendimet e saj për targat janë legjitime.

Më 28 tetor, Qeveria e Kosovës shpalosi planin për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës) është i ndarë në tri faza. Në fazën e parë do të qortohen shoferët që kanë makina me targa serbe, në të dytën do të paguajnë gjobë prej 150 eurosh, ndërkaq faza e tretë parasheh përdorimin e targave provuese.

Qeveria ka thënë se pas 21 prillit të vitit 2023, në Kosovë do të mund të përdoren vetëm targat RKS.

Ky vendim i Kosovës vjen pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që Prishtina të shtyjë për 10 muaj procesin e riregjistrimit. Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë shprehur “zhgënjim” me mosshtyrjen e afatit për targat.

Qeveria e Kosovës ka argumentuar se kishte bërë një shtyrje të zbatimit të vendimit të targave, që fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht dhe ishte shtyrë për periudhën 1 shtator-31 tetor.

Incidente në veri për shkak të targave

Në javët e fundit në veri të Kosovës janë regjistruar katër raste të djegies së makinave të pronarëve serbë, të cilët i kishin regjistruar ato në targa RKS.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se këto raste paraqesin “frikësim” për qytetarët që duan t’i riregjistrojnë makinat e tyre.

Më 3 nëntor, Policia e Kosovës raportoi për të shtëna me armë zjarri në stacionin policor kufitar në Zubin Potok – komunë e banuar me shumicë serbe.

Pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor, Borrell përmes një postimi në Twitter kërkoi nga të gjitha palët që të përmbahen dhe të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.

Zyrtarët në Serbi, e as zyrtarët serbë në Kosovë nuk kanë komentuar për djegien e makinave dhe dëmtimin e pronës së serbëve që po riregjistrojnë makinat e tyre.

Po ashtu, ditëve të fundit, Serbia ka rritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë së saj, teksa ka pretenduar se dronë nga Kosova kanë “vëzhguar” objektet ushtarake të Serbisë. Kosova ka mohuar se fluturake nga territori i saj kanë hyrë në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ndërkaq ka deklaruar se vëzhgimi i ndërtesave ushtarake me dronë është “një lloj agresioni”.

Çfarë parashihte marrëveshja për targat e arritur në Bruksel?

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, më 2011 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

Sipas kësaj marrëveshjeje, makinat me targa serbe me akronime për qytetet e Kosovës si PR (Prishtinë), GL (Gjilan), KM (Mitrovica e Kosovës) e të ngjashme, duhej të riregjistroheshin në RKS (Republika e Kosovës) apo në targat me status neutral KS (Kosovë).

Pavarësisht kësaj marrëveshjeje, në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët serbë kanë qarkulluar me targa të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Atëbotë qytetarët e Kosovës nuk mund të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS, por duhej të pajiseshin me targa provuese, andaj Kosova u pajtua që të lëshonte targa KS edhe për pesë vjet të tjera, marrëveshje të cilën Serbia e pranoi.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e vitit 2011 u finalizua në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016.

Vlefshmëria e këtyre targave me status neutral skadoi më 15 shtator të vitit 2021.

Zyrtarët serbë së fundmi sërish kanë kërkuar që targat KS të rikthehen në përdorim, por kjo kërkesë është refuzuar nga autoritetet në Kosovë./REL

Show More

Related Articles

Back to top button