LajmeMaqedoni

Ajri këtë dimër helmues, kompetentët të ndërmarrin masa, e jo të apelojnë, kërkojnë ekologjistët

Më të varfërve t’u sigurohen sasi të mjaftueshme të drunjve të lirë dhe të sertifikuar, të pastrohen oxhaqet, të ulet çmimi i rrymës, të mbyllen kantieret e ndërtimit…Organizatat qytetare nga vendi propozojnë masa konkrete për institucionet të cilat duhet të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend. Fillimi i sezonit të ngrohjes tradicionalisht është periudha kur të gjithë sërish bëhemi të vetëdijshëm se në sa mjedise të ndotura jetojmë, ndërsa sivjet sfida është edhe më e madhe, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Kriza energjetike dhe aktivizimi i kapaciteteve vendore për prodhim të energjisë elektrike nga derivate fosile vetëm i përkeqësojnë parashikimet për atë se çfarë ajri na pret këtë dimër. Ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini para pak kohësh apeloi deri te qytetarët që të kenë kujdes se çfarë derivate do të përdorin për ngrohje dhe të mos i ngrohin shtëpitë mbi 21 gradë. Megjithatë, përveç apeleve dhe rekomandimeve, për momentin nga ky institucion nuk propozojnë masa konkrete.

Arianit Xhaferi nga “Eco Guerilla” konsideron se kriza energjetike sivjet do të jetë arsyetim i përshtatshëm për institucionet për ndotjen e ajrit, edhe pse të gjithë e dimë se ky është problem shumëvjeçar tek ne. Më së shumti, sërish do të goditen qytetarët, posaçërisht të varfrit dhe e kemi të qartë të gjithë se me çmimet e reja të rrymës shumë familje do t’i harrojnë inverterët dhe do t’u kthehen drunjve si energjens, ndërsa nuk përjashtohen variante edhe më të këqija si vaj i djegur, mobilje, goma…

“Edhe pse shpjegimet për tarifat e reja janë se vetëm konsumatorët e mëdhenj do të paguajnë më shumë, është e qartë se në kategoritë më të larta do të hyjnë edhe amvisrëritë të cilat ngrohen me rrymë. Pas aq fushatave për subvencionim të inverterëve, ky është dekurajim i madh dhe kthim prapa. Për këtë arsye, si masa më afatshkurtra dhe më urgjente, është e domosdoshme që Qeveria për ta të sigurojë rrymë të lirë, madje edhe me çmime më të ulëta nga ato para shtrenjtimit. Për më të varfrit, madje, drunj të lirë dhe të sertifikuar, për shkak se, edhe pse e dimë se ky nuk është opsioni më i mirë, megjithatë është më i mirë sesa të përdorin goma ose plastikë”, thotë Xhaferi.

Shteti është në krizë të thellë energjetike, por edhe financiare. Ndotja e ajrit çdo vit na kushton 135 milionë euro, që për Xhaferin është treguesi i duhur për institucionet kur të vendosin për prioritetet, se nëse të hollat t’i shpenzojnë që të sigurojnë ngrohje më cilësore për qytetarët ose madje të njëjtat ose më shumë të holla të japin për mjekimin e të sëmurëve nga sëmundjet e mushkërive, karcinomeve dhe sëmundje të tjera të shkaktuara nga ndotja e ajrit.

Për aktivistët ekologjik fakti se institucionet vetëm apelojnë, ndërsa nuk ndërmarrin masa konkrete, do të thotë se nuk kanë ide të qartë se si të ballafaqohen me problemin me ajrin e ndotur, që këtë dimër do të jetë disa herë më i madh.

“Që të mos na ndodhë e njëjta dhe vitin e ardhshëm autoritetet duhet të lirohen nga procedura burokratike dhe me të vërtetë t’ua lehtësojnë të gjithëve të cilët mund të investojnë në fotovoltaikë dhe për vete të sigurojnë rrymë”, apelon Xhaferi.

Aksion për pastrim të oxhaqeve dhe, në qoftë se duhet të përdoren derivate të forta, të jenë me përqindje sa më të vogël të mundshme të lagështisë, janë masat urgjente konkrete të cilat do ta zvogëlonin ndotjen këtë dimër, që i propozojnë nga Qendra për ndryshime klimatike. Nga atje apelojnë që të ndihmohen më të varfrit dhe me investime minimale në vende të caktuara kritike në shtëpitë e tyre, që të zvogëlohet joefikasiteti energjetik.

“Fillimisht duhet të punohet në rritjen e numrit të përdoruesve të sistemeve qendrore për ngrohje, por gjithashtu edhe në qëndrueshmërinë e ngrohtoreeve të qytetit përmes dekarbonizimit të tyre gradual, me vendosje të burimeve ripërtëritëse në ngrohje. Një projekt i këtillë tashmë implementohet në Serbi”, thotë Filip Stojanovski nga Qendra për ndryshime klimatike.

Në afat më të gjatë, konsideronë në këtë organizatë qytetare, nevojitet që të zvogëlohet edhe nevoja e energjisë për ngrohje përmes implementimit të masave për efikasitet energjetik si dritare më efikase, izolim të mureve të jashtme, përdorim të pajisjeve për ngrohje me efikasitet më të lartë dhe ngjashëm, por edhe braktisje graduale e derivateve fosile si burim i energjisë termike për ngrohje. Shumë vende më të zhvilluara se ne tanimë kanë miratuar dispozita me të cilat prolongohet fillimi i sezonit të ngrohjes për një javë ose zvogëlohet për një ose dy gradë temperatura e brendshme nëpër objekte, ndërsa tek ne kompetentët tani për tani vetëm apelojnë.

“Maqedonia që nga viti i kaluar po ballafaqohet me krizë energjetike dhe për fat të keq asgjë nuk ndërmorrëm për sigurim të energjisë elektrike më të lirë nga bursa. Në mënyrë plotësuese jemi vonë me riparimin e blloqeve në REK Manastir, dhe ende nuk është i sigurtë furnizimi i gazit për ngrohtoret Lindje dhe Perëndim, ndërsa gjithashtu nuk ka kurrfarë paralajmërime për investime në sektorin energjetik në kohën e duhur”, thotë Stojanovski.

Investimet në energjetikë nuk guxojnë të planifikohen ad hok, por me plan dhe në afat të gjatë, ndërsa gjendjet paralajmërojnë se kriza energjetike do të jetë prezente edhe vitin e ardhshëm. Kjo për ekologjistët është shenjë se shteti duhet urgjentisht të fillojë me planifikimin e masave dhe aktiviteteve adekuate.

Përveç ngrohjes së shtëpive dhe objekteve afariste, në ndotjen e ajrit marrin pjesë edhe transporti dhe emetimet nga kapacitetet industriale, por edhe aktivitetet ndërtimore, të cilat posaçërisht në Shkup janë të pranishme në çdo hap. Aktivistët ekologjik nga Iniciativa O2 konsideorjnë se pluhurit nga kantieret e ndërtimit nuk u kushtohet shumë vëmendje dhe apelojnë që këtë dimër, si një nga masat afatshkurtra për kontroll të ndotjes së ajrit, të ndërpriten punimet ndërtimore.

“Është e qartë se në sytë e dimrit është vonë të fillohet të mendohet se çfarë masa të ndërmerren. Se na pret krizë ishte shumë e qartë shumë më parë, por shërbimet inspektuese nuk u përforcuan ndërkohë. Ka komuna të cilat nuk kanë asnjë inspektor për mjedis jetësor, ndërsa edhe atje ku ka nuk janë të mjaftueshëm”, theksojnë nga Iniciativa O2 dhe apelojnë deri te qytetarët që të jenë të vetëdijshëm dhe të kenë kujdes se çfarë derivate përdorin për ngrohje, para së gjithash për shkak të shëndetit të tyre, ndërsa edhe për shkak të ajrit të cilin të gjithë e thithim.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike. Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Show More

Related Articles

Back to top button