LajmeMaqedoni

Fondi dorëzoi raportin në ministri: lëshime të shumta në Pulmologji

Në Kohën e pandemisë nuk dihej “kush pinte e kush paguante” në Klinikën e Pulmologjisë. Në raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm revizor në këtë klinikë janë evidentuar disa parregullsi gjatë vitit 2021. Ky raport i kryer nga Fondi Sigurimit Shëndetësor i është dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe duke u bazuar nga i njëjti pritet të ndërmerren hapa konkret për masat eventuale disiplinore apo ndëshkuese. Në bazë të dhënave që ka siguruar Alsat, bëhet fjalë për lëshime në kujdestari gjatë kohës së pandemisë.

Raporti i mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në Klinikën e Pulmologjisë gjeti disa parregullsi lidhur me kujdestaritë dhe disa çështje administrative që janë bërë lëshime në vitin 2021. Por, drejtori Dejan Dokiç nuk deshi të prononcohet për media, prandaj autorizoi kryeinfermierin për të dhënë sqarimet në fjalë.

Kryeinfermieri tha se prej dokumenteve të kërkuara nga inspektorët, donacionet në periudhën e pandemisë nuk kanë qenë subjekt i lëndës së tyre, siç kishte zëra në opinion. Ekipi Alsat ka siguruar listën e donacioneve që janë dhënë në kohën e pandemisë, kur drejtori Dokiç ishte koordinator i kovid qendrës së klinikave interne. Sipas dokumenteve, në periudhën 2020-2021 janë dhënë 1,567 donacione, të cilat kanë arritur vlerën e mbi 12 milion euro.

Nga drejtoria thanë se posedojnë gjitha dosjet se në cilat reparte i kanë dorëzuar, pajisjet për terapi oksigjeni, terapitë, aparaturat dhe gjësende tjera medicinale, por nuk mbajnë përgjegjësi për marrësit.

“Me sa kam unë informacion deri më tani ka disa lëshime teknike sa i përket jo kujdestarive, por disa grafi që nuk kanë qenë të plotësuara mjaftueshëm. Jemi të gatshëm për ta thënë të vërtetën në çdo kohë, ajo ka qenë periudhë e tillë kur kemi qenë të angazhuar maksimalisht duke dhënë kontributin tonë dhe gjithçka që është dhënë e shpërndarë është e dokumentuar”, tha Sabri Aziri, Kryeinfermier në Klinikën e Pulmologjisë.

Për keqpërdorime të mundshme të kujdestarive dhe pushimeve mjekësore të stafit, ka dyshime edhe në Klinikën Infektive. Por, as drejtoresha Milena Stevanoviq nuk ishte në gjendje të na jepte sqarime për rastin. Deri tani janë larguar tre drejtorë, ai medicinal i Onkologjisë Nikolla Vasev për vërtetimin e keqpërdorimeve të terapive kundër kancerit dhe disa lëshime tjera, drejtorja e Klinikës së Pediatrisë Aspazija Sofjanova për keqpërdorim të pagave të larta dhe mëditjeve të kujdestarisë si dhe drejtori organizativ i Pediatrisë, Alajdin Memedi, me arsyetim se i është gjetur rritja e koeficientit të pagës së tij.

Ky i fundit tha se vendimin do ta qoj në Gjykatën Administrative për të kërkuar drejtësinë, nga që sipas tij, koeficienti i pagës ka qenë i rritur nga drejtori paraprak, ndërsa ai ka vazhduar të njëjtën për 9 muaj sa mbajti këtë pozitë. Mbeten raportimet finale edhe 10 nga 12 klinikat për të plotësuar mozaikun e shëndetësisë./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button