Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH) Elmi Aziri tha në emisionin “Analiza 24” në Tv24 se në takimin e liderëve të partive parlamentare nuk ka pasur ndonjë ofertë konkrete nga mazhoranca për t’iu bashkuar qeverisë.
“Kryetari ynë ka bërë një deklaratë dhe nëse kemi një gjë të tillë si kryesi, do ta diskutojmë dhe do të përballemi me argumentet dhe do të marrim vendimi. Nëse ka një dëshirë nga shumica e ASH për të qenë pjesë e mazhorancës, unë jam krenar për këtë. Aktorët e brendshëm dhe miqtë e jashtëm e shohin ASH-në si një partner solid drejt integrimit evropian. Kështu ka vepruar deri tani ASH, qoftë në pushtet apo në opozitë”, ka deklaruar Aziri, përcjell PRESSonline.mk
Ai thotë se ASH-ja e mirëpret iniciativën për takime të liderëve të partive parlamentare, dhe se sipas tij, kjo është mënyra më e mirë për të ballafaquar opinionet për interesat strategjike.
“Mund të jetë vonë, por tani është më mirë, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e vendit”, theksoi Aziri. (PRESSonline.mk)