Greqia do të fillojë përfundimisht kërkimet për gaz natyror në zonën detare në jugperëndim të Kretës.
Lajmin e ka bërë me dije kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë të televizionit privat ANT1.
“Jemi në gjendje të themi se kërkimet sizmike për të eksploruar depozitat e gazit natyror do të fillojnë menjëherë. Kur them menjëherë, kam parasysh , ditët në vijim, në dy blloqet që ndodhen në jugperëndim të Peloponezit dhe Kretës, nga ExxonMobil”, tha Mitsotakis.
Sipas tij, dy kompanitë e mëdha Exxon Mobil dhe Helleniq Energy fillojnë kërkimet sizmike me anë të anijes sizmografike Sanco Swift të kompanisë norvegjeze PGS.
Gjiganti amerikan Exxon-Mobil që është edhe operatori me një shumicë prej 70% dhe Helleniq Energy do të lëshojnë në ditët e ardhshme një NAVTEX, me anë të së cilës do të bllokohen dy blloqet detare ku do të nisin kërkimet sizmike 2D për të identifikuar rezervat e mundshme të gazit natyror në këtë zonë.
“Vendi ynë, pavarësisht angazhimit për tranzicionin e shpejtë të gjelbër, duhet të hulumtojë nëse aktualisht ka mundësi të nxjerrë gaz natyror, i cili do të kontribuojë jo vetëm në sigurinë tonë energjetike, por edhe të Evropës”.
Pas marrjes së të dhënave sizmike në dy blloqet, do të vijojë përpunimi i tyre brenda 6 muajve të ardhshëm për vizualizimin e strukturave gjeologjike të nëntokës, interpretimin e tyre dhe do të vijojnë proceset e parashikuara që përfundojnë më tenderimin për kryerjen e shpimeve eksploruese brenda 3 viteve të ardhëshme.
Kriza energjetike ka shkaktuar ashtu si në shumë vende të BE një riorganizim të politikës energjetike të Greqisë dhe qeveria Mitsotakis mbështet fuqishëm kërkimet e burimeve të reja energjetike, duke i konsideruar ato të një rëndësie kombëtare.
Nëntori shënon nisjen paralelisht të kërkimeve sizmike jo vetëm në perëndim dhe në jugperëndim të Kretës të ashtuquajturat blloqet 1 dhe 2, por edhe në bllokun 3 në jugperëndim të Peloponezit, në kufijtë e ZEE-së greke me Italinë.