
Anëtari i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteti serb, Ivan Radulovic, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
“Po, anëtari i bordit të RTK-së, z. Ivan Radulovic, dje më ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të bordit, siç ka thënë ai për arsye personale” – tha Boletini për KALLXO.com.
Dorëheqja e Radulovic ka ardhur në kohën kur janë dorëhequr edhe prokurorë, gjyqtarë, policë, ministra, deputetë e asamblistë serbë nga institucionet e Kosovës. Këto dorëheqje kanë ardhur pas suspendimit të Nenad Gjuriqit, nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, pasi i njëjti ka refuzuar dhe ka rezistuar për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e automjeteve me targa ilegale.
Radulovic është parë në protesta që janë mbajtur në veri të Kosovës. Të njëjtit i janë kërkuar sqarime nga kryetari i bordit të RTK-së se në çfarë cilësie ai ka marrë pjesë në ato protesta.
“Pasi që z. Radulovic është parë në protesta që janë mbajtur në veri të vendit, i kam kërkuar sqarime se në çfarë cilësie ka marrë pjesë, duke pasur për bazë ruajtjen e neutralitetit të anëtarëve të bordit karshi zhvillimeve të ndryshme në vend. Lidhur me këtë, z. Radulovic ka sqaruar përmes një përgjigje me shkrim se është fotograf i pavarur dhe se nuk ka asnjë kontratë pune me asnjë medium”- tha Boletini.
Boletini ka thënë se Radulovic nuk ka deklaruar asnjë funksion tjetër përveç bordit apo ndonjë punë tjetër as në Agjencinë Kundër Korrupsion.