Presidenti Xi Jinping, që sapo ka marrë mandatin e tretë, ka paralajmëruar se Kina është e fokusuar në përgatitjet për luftë, raporton “Daily Mail”.
Sipas tij, vendi vuan nga një siguri “gjithmonë e më shumë të paqëndrueshme dhe e paqartë”.
Paralajmërimi i tij vjen pasi Xi muajin e kaluar bëri thirrje për zhvillim më të shpejtë ushtarak, mbështetje në teknologji dhe mbrojtje të interesave të Kinës jashtë vendit, duke rritur gjasat për konflikt të mëtejshëm.
Njoftimi i Xi se Kina do të fokusohet në përgatitjen për një luftë rrit frikën se kombi mund të pushtojë ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, të cilin Pekini e pretendon si të tijin.
Kina, e cila ka ekonominë dhe ushtrinë e dytë më të madhe në botë, ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë Tajvanin me forcë nëse është e nevojshme. Nëse Kina sulmon Tajvanin, konflikti pothuajse me siguri do të përfshinte Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë ofruar armë Tajvanit.
SHBA i është përgjigjur kërcënimeve të Kinës për të sulmuar Tajvanin duke njoftuar se do të vendosë bombardues në Australi – në një përpjekje për të ‘paralajmëruar’ Kinën kundër asaj që do të ishte ‘lufta më e keqe në historinë moderne’.
Kjo vjen pas stërvitjeve më të mëdha ushtarake që Kina zhvilloi rreth Tajvanit pas një vizite të fundit nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi.
Udhëtimi zemëroi Pekinin, i cili e cilësoi atë si një përpjekje të SHBA-së për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës.