Edhe një ditë pas takimit të liderëve të partive parlamentare, askush nuk din të thotë nëse ky format do të vazhdojë me takime të tjera në një periudhë të shpejtë. Rikthimin e mundshëm në tavolinë të liderëve e bën edhe më të paqartë fakti që asnjë marrëveshje, deklaratë ose konkluzion nuk doli prej tij dhe asnjë lëvizje nga qëndrimet fillestare nuk u shënua.
Analisti Petar Arsovski vlerëson se zgjidhja e çështjeve të shtruara do të jetë e vështirë.
“Fakti që kishte takim është pozitiv. E shoh se të gjitha partitë dolën me agjendat e tyre në atë takim dhe se agjendat e partive nuk përputhen me njëra tjetrën. Ajo që është e pranueshme për njërën nuk është e pranueshme për tjetrën. Nuk pres që të ketë zgjidhje të shpejtë për kërkesat por mendoj se ky proces duhet të vazhdojë. Nëse mund të ndahen këto çështje dhe të bisedohet një nga një për çështjet, mundësia për konsensus rritet. Kështu në pako mendoj se është e vështirë të arrihet”, deklaroi Petar Arsovski, analist.
Për Arsovskin, është problem që takime të këtilla organizohen vetëm kur ka krizë dhe se nuk bëhen përpjekje të ngjashme edhe për zgjidhje brendainstitucionale, në Kuvend.
Mes partive shqiptare nuk ka dallim në qëndrimin për heqjen e 20%-shit dhe kërkesat e tyre janë legjitime, thotë Arsovski.
“Mendoj se këtë rast, nëse gjendet konsensus për ndryshimet që janë të nevojshme për t’u zhbllokuar kapitujt e negociatave, edhe bashkësia ndërkombëtare, edhe partitë shqiptare kanë mirëkuptim që ky proces i dytë të lihet të bisedohet më vonë. Por, kjo nuk do të thotë se ai duhet të lihet anash. Problem është që ne nuk kemi dialog politik inkluziv për këtë gjatë gjithë kohës dhe partitë shqiptare detyrohet që kur të hapet ndonjë proces, atëherë t’i thonë kërkesat e tyre”, deklaroi Petar Arsovski, analist.
Në takim, pushteti kërkoi mbështetje për ndryshimet kushtetuese, VMRO-DPMNE-ja kërkoi zgjedhje të parakohshme, Aleanca për Shqiptarët kërkoi heqjen e 20%-shit nga Kushtetuta kurse Lidhja Demokratike kërkoi njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari. /Alsat.mk