Votuesit amerikanë shkuan në qendrat e votimit të martën në zgjedhjet kyçe afatmesme që kërcënojnë shumicën demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, shkruan CBS. Gara për senat është e barabartë, ndërsa Republikanët janë bindshëm para në Dhomën e Përfaqësuesve.
Rezultati i zgjedhjeve afatmesme është vendosur të formësojë dy vjetët e fundit të presidencës së Joe Bidenit, duke prishur potencialisht agjendën e tij legjislative.
Republikanët janë të favorizuar për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, bazuar në parashikimet e mediave amerikane, por Senati mbetet në balancë dhe gara është shumë e fortë.
Sipas rezultateve të deritanishme, gara për Senatin është 48:48 (50 është shumica), ndërsa republikanët janë përpara 198:173 (218 është shumica) sa i përket Dhomës së Përfaqësuesve.
Deri më tani, Dhoma e Përfaqësuesve është në duart e demokratëve (222:213), por tani me shumë gjasa do të ketë një ndryshim.
Zyrtarët paralajmëruan se numërimi i votave mund të zgjasë përtej ditës së zgjedhjeve në shumë shtete.
Bideni dhe kandidatët demokratë në të gjithë vendin kanë paralajmëruar se demokracia amerikane është në rrezik dhe kanë kërkuar të theksojnë kthimin e të drejtave të abortit, ndërsa republikanët kanë fajësuar demokratët për inflacion të lartë dhe krim.
Amerikanët zgjedhin përfaqësues për të gjitha 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 vendet në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Përveç vendeve në dhomat e larta dhe të ulëta të Kongresit, në këto zgjedhje do të zgjidhen edhe guvernatorët e 36 shteteve federale.
“Edhe pse guvernatorët nuk ndikojnë drejtpërdrejt në politikën në Uashington, ata kanë një ndikim të madh në politikën në shtetin e tyre, dhe shpesh edhe në përfaqësuesit e shtetit të tyre në Kongresin Amerikan”, shpjegoi media amerikane.
Në Senat, një rol kyç ka nënpresidentja amerikane Kamala Harris, e cila përfaqëson faktorin kryesor dhe “numrin magjik 51” në favor të Partisë Demokratike.
Duke qenë se 35 vende në Senat do të zgjidhen, është e lehtë të supozohet se këto zgjedhje do të përfaqësojnë një periudhë kyçe për të dyja partitë, në të cilën do të vendoset nëse Partia Demokratike do të vazhdojë të kontrollojë këtë organ të rëndësishëm apo Republikanët do ta marrin rolin kryesor.
Megjithëse nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me presidentin e SHBA-së, zgjedhjet afatmesme gjatë historisë kanë rezultuar të jenë një lloj treguesi i disponimit të opinionit publik ndaj presidentit aktual të SHBA-së.
© KOHA