Që të mos vijë deri te ndërprerja, as rritjet e mëdha të çmimeve në furnizimin me produkte ushqimore dhe në furnizimin me ujë, të mos ketë ndërprerje të procesit mësimor në shkolla ose ngecje të punës në institucionet shëndetësore, Qeveria mundëson që këta konsumatorë vitalë të sektorit publik të shfrytëzojnë rrymë më të lirë, në vlerë 80 deri 95 Euro për megavat orë, të paktën deri në fund të muajit Prill të vitit të ardhshëm, derisa zgjat gjendja e krizës energjetike.
Dimitar Kovaçevski, Kryeministë: Që të fillojnë të furnizohen me energji elektrike nga dita e parë e muajit të ardhshëm të gjithë të interesuarit është e nevojshme që më së voni deri në datën 10 të muajit në vazhdim ta dorëzojnë në Elektroekonominë e Maqedonisë së Veriut – Shitje marrëveshjen e nënshkruar me dokumentacionin e nevojshëm. Qytetarët nuk do të mbeten vetëm në ballafaqimin me krizën, për ne janë njësoj të rëndësishëm edhe furnizimi me rrymë, ashtu edhe ai me ushqim. Rrymën edhe më tej do ta subvencionojmë me 80% për mbi 600 mijë amvisëri, për 72 mijë kompani të vogla të cilat punësojnë 98% të punëtorëve në shtet.
Kovaçevski thekson se plani i qeverisë për kontroll të krizës energjetike deri më tani po realizohet, EEM prodhon për 25% më shumë rrymë, nuk ka import për tregun e rregullt, as restriksione, por pranon se kredia prej 100 milionë Euro, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në kushte të volitshme, dështoi falë opozitës.
Dimitar Kovaçevski: Ajo kredi u bllokua nga ana e opozitës në Kuvend. Për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të opozitës, ato mjete financiare që ishin në llogarinë bankare tani janë riorientuar për qëllime të tjera dhe me këtë Maqedonisë së Veriut nga ana e opozitës iu shkurtua mundësia për shfrytëzimin e mjeteve financiare jashtëzakonisht të volitshme.
Argumenti i opozitës se Maqedonia e Veriut është e obliguar sipas Agjendës së Gjelbër Evropiane në mënyrë të njëpasnjëshme t’i mbyllë kapacitetet energjetike që shfrytëzojnë qymyrin – REK Manastiri dhe termocentralet në Negotinë dhe në Osllomej, sipas Kovaçevskit nuk qëndron më.
Gjendja e re e krijuar në Evropë, lufta në Ukrainë dhe mungesa e gazit dhe e naftës i kanë detyruar vendet tjera evropiane, në mesin e të cilave edhe Maqedonia e Veriut, t’i rishikojnë strategjitë e tyre kombëtare dhe ta vazhdojnë punën e termocentraleve.\Klan Macedonia\