LajmeMaqedoni

SHGM: Vendim skandaloz i Gjykatës së Apelit në Shkup kundër gazetarëve

Këshilli i Gjykatës së Apelit në Shkup, i përbërë nga gjyqtaret Tatjana Dukovska si kryetare e Këshillit, Tanja Mileva dhe Jusuf Ajrulahi, morën vendim skandaloz dhe të turpshëm kundër gazetarëve Meri Jordanovska dhe Predrag Petroviq.

 Gjykata e Apelit në Shkup, me vendimin e 8 nëntorit, e revokon aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale në Shkup dhe lëndën e kthen në rigjykim. Bëhet fjalë për padinë penale private të deputetit dhe kryetar të partisë politike “Levica”, Dimitar Apasiev, kundër koleges Jordanovska dhe kolegut Petroviq dhe personit juridik ONLAJN MEDIJA DOO nga Shkupi për veprën penale “Publikim i paautorizuar i informatave personale”.

Shkak për padinë e Apasievit ndaj gazetarëve ishte teksti i publikuar me titull ““Sorospii” dhe “Kurirci” – Apasiev agresiv ndaj gazetarëve të “A1on” pasi u pyet nëse do t’i mbante paratë e buxhetit”, i publikuar më 7 dhjetor, të vitit 2020, në internet portalin ”A1on”. Përkujtojmë se në procedurën për këtë lëndë, e cila zgjati gati një vit, paditësi nuk është paraqitur personalisht as një herë në seancat gjyqësore, ndërsa gazetarët kanë qenë prezentë disa herë në seancat gjyqësore ku kanë përfaqësuar mbrojtjen e tyre. Gjykata Themelore Penale e Shkupit në shkurt të këtij viti ka marrë vendim në favor të gazetarëve, dhe tani me vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup kthehet lënda në rigjykim dhe gazetarët tashmë kanë marrë ftesë për seancë këtë muaj.

Vendimet e tilla të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit në Shkup dhe praktika e tillë gjyqësore, kur bëhet fjalë për padi private nga liderë partiakë dhe deputetë kundër gazetarëve, reflektohen negativisht në lirinë e shprehjes dhe nxisin vetë-censurën.

Theksojmë sërish se këto lloj padish shërbejnë për shkaktimin e frikësimit dhe shpenzimeve të ndryshme apo thjesht rraskapitjes së gazetarëve të paditur. Qëllimi nuk është të arrihet drejtësia, por të ngacmohen të pandehurit për t’i demotivuar ose për të hequr dorë nga kritika publike. Padi të tilla në kontekstin e Këshillit të Evropës njihen si padi strategjike për parandalimin e pjesëmarrjes publike (SLAPP). Këto procese gjyqësore, sidomos kur iniciohen nga politikanët dhe bartësit të funksioneve publike, mund të shkaktojnë censurë tek gazetarët, duke cenuar kështu të drejtën e qytetarëve për informim. SHGM për këtë vendim të Gjykatës së Apelit në Shkup do ta informojë Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFG) ku është anëtare SHGM, dhe do të theksojë se bëhet fjalë për presion mbi gazetarisë së lirë përmes gjykatës.

Show More

Related Articles

Back to top button